E diel 23 qershor, Kisha kremton të dielën e 12-të gjatë vitit kishtar, e gjithnje
më 23 qershor kalendari kujton edhe shën Jozefin Kafaso e shën Lafrankun. Liturgjia
e kësaj së diele na fton të kundrojmë mision shëlbimprurës të Jezu Krishtit me sytë
e Hyjit. Përndyshe do të jetë e pamundur të ndjekim pas Mësuersin Hyjnor që ecën drejt
Jerusalemit drejt cakut përfundimtar, drejt vuajtjes, vdekjes mbi kryq e ngjalljes.
Ungjilli na paraqet Jezusin në lutje në një vend të vetmuar e pastaj pyetjen që Mësuesi
u bënë dishepujve rreth opinionit që kanë për Të. Pjetri përgjigjet në emër të të
gjithëve duke pohuar “Krishtin e Hyjit”. E hënë 24 qershor kisha katolike
kremton festën e lindjen së Shën Gjon Pagëzuesit.. Shën Gjon Pagëzuesi është shumë
i nderuar në vise të ndryshme shqiptare, sidomos në ato vende që mbajnë emrin e tij:
Shëngjon ose Shëngjin. Kështu sot ishin në festë Hoti, Fushë Derveni, Shëngjini e
Fushë Mamurrasi ( Shqipëri) dhe mbarë famullia e Zllakuqanit (Kosovë)e shumë familje
të krishtera shqiptare. Të martën më 25 qershor, bie përkujtimi i shën Gulielmit,
abat, themelues i murgjërve të Montevergjine dhe i shën Galikanit, ipeshkëv i Embrunit.
Liturgjia e ditës na kujton se nuk jemi ne ata, që duhet ta gjykojmë të afërmin: tepër
i cektë është vështrimi ynë e tepër i errësuar nga e keqja. Në se tregohemi të mëshirshëm
në jetë, me mëshirë do të gjykohemi edhe në gjyqin e mbramë. Të mërkurën më
26 qershor, bie përkujtimi i shën Virgjilit, i shën Gjonit e Palit martirë dhe
i shën Hosemaria Eskrivá de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei. Liturgjia na
kujton se njerëzit që e kanë zemrën të pastër, do të banojnë në shtëpinë e Zotit.
Janë ata që e ruajnë çdo dhuratë të Zotit si thesar të çmuar dhe e bëjnë të japë fryte
në marrëdhëniet me të tjerët. Kjo është rruga e sigurtë e shëlbimit. E kjo, edhe dita
e festës së. Të enjten më 27 qershor bie përkujtimi i shën Çirilit të Aleksandrisë,
ipeshkëv e doktor i Kishës. Ai na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij,
dmth, nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat – është kriter, të cilin na e mëson
vetë Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga
profetët e rremë. Të premten më 28 qershor bie përkujtimi i shën Ireneut,
ipeshkëv i Lionit e martir, njeri i fesë e bari besnik i grigjës që i qe besuar. Ky
shenjtor kishte mësuar nga Bariu i Mirë ndjenjën e masës, pasurinë e doktrinës, zellin
misionar, cilësi që duhet t’i bëjmë tonat, për të qenë miq të vërtetë të Jezusit.
Të shtunën që vjen me 29 qershor bie festa e Shën Pjetrit e e Shën Palit,
Apostuj, kremtuar së bashku që në kohët e para të krishterimit. Këtyre dy kryeapostujve
duhet t’u jemi mirënjohës, sepse me gjakun e tyre bënë të lulëzojë Kisha në shekuj.
Kujtojmë se dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës e se trupi i Shën
Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa ai i Shën Palit, në Bazilikën
e Ostienses gjithnjë në Romë. Shenjtorët Apostuj Pjetri e Pali kremtohen në shumë
vise shqiptare. Kujtojmë së pari, se Katedralja e Tiranës i kushtohet Shën Palit,
që prandaj edhe kremtohet shumë nga besimtarët e kryqetetit të Shqipërisë; por kremtohet
edhe në Bajzë, ku ngrihet Kisha e gjithë Malësisë së Madhe, pastaj në Hajmel, në Shën
Pjetër e në Dardhë, e edhe në Gjakovë të Kosovës ku Shën Pjetri e Pali janë pajtorët
qiellor të bashkësisë katolike të këtij qyteti.
Të dielën e ardhshme më
30 qershor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën 13-të gjatë vitit kishtar.
Gjithnjë më 30 qershor kalendari përkujton edhe martirët të parë të Kishës romake,
festa e të cilëve na kujton thirrjen: “Bekuar qofsh, o Zot, Hyj besnik! Ti nuk i harron
kurrë ata që dhurojnë gjakun për dashurinë tënde!”.