2013-06-22 15:23:43

Parlamenti Evropian pret maturi politike nga Shqipëri në zgjedhjet e 23 qershorit


Eurodeputetja Tanja Fajon prêt nga zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, maturi politike. “Ne presim shumë nga Shqipëria këtë radhë. Presim që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Shpresojmë që Shqipëria të provojë pjekurinë e saj. Është koha tashmë për politikanët dhe qytetarët që të veprojnë me përgjegjësi, për të bërë të mundur avancimin e vendit drejt BE-së”, tha Fajon.
Ajo tha se delegacioni i Parlamentit Europian do të jetë prezent për zgjedhjet dhe do të ndjekë me shumë vëmendje procesin dhe shpreson që politikanët shqiptarë do të tregojnë pjekuri pas zgjedhjeve për njohjen e rezultatit.
“Nëse zgjedhjet do të kontestohen nga një palë ose tjetra, kjo ka të bëjë me pjekurinë politike. Herën e fundit, ne kemi vërejtur shumë vështirësi që u shfaqën me bojkotin e parlamentit, mosfunksionimin e duhur të institucioneve”.
Kjo, shtoi Fajon, është jashtëzakonisht e rëndësishme , e parë edhe në kontekstin e krizës ekonomike dhe financiare, ku besimi i qytetarëve te politika në të gjithë Europën është jashtëzakonisht i ulët. Ndaj është koha që Shqipëria të përformojë mirë me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të tregojë pjekuri.(nga QIK-u)







All the contents on this site are copyrighted ©.