2013-06-22 15:07:19

Papa Françesku gëzon me të vegjlit e "Trenit të femijëve", ardhur ne Vatikan


Sot, Papa Françesku, tha si zakonisht, lutjen e Engjëllit të Tënzot në mesditë e menjëherë pas saj, u takua me pjesëmarrësit e nismës “Treni i fëmijëve” në Stacionin hekurudhor të Vatikanit. Kjo nismë, është pjesë e “Oborrit të jo besimtarëve”, strukturë e Vatikanit për dialogun kulturor, që kësaj radhe deshi t’u propozojë fëmijëve me probleme për integrimin në shoqëri, laboratore për njohjen e historisë së punëtorëve, artizanëve dhe artistëve, që kanë punuar për t’i dhënë formë e bukuri Duomos së Milanos, atij të Bolonjës, katedrales së Shën Marisë së Lules në Firence (ku lulja simbolizon Krishtin) dhe kolonave të sheshit të Shën Pjetrit, në Romë. Sot në mëngjes, rreth 250 fëmijë u nisën me tren nga Milano, e pas ndalesave në Bolonjë e Firence, mbërritën në Vatikan, në takimin me Papën Françesku. I gjithë udhëtimi u zhvillua në atmosferë feste, me synimin që, përmes laboratoreve, fëmijët të prekin me dorë artin, komunikimin viziv dhe gjuhën e imazhit. Shumë prej fëmijëve janë të huaj, siç shpjegoi kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës.







All the contents on this site are copyrighted ©.