2013-06-21 17:08:42

Selia e Shenjtë-Izraeli: nunci, imzot Laxaroto, optimist për përfundimin e bisedimeve


“Duhen përcaktuar akoma disa aspekte, që kanë të bëjnë me vende e institucione të Kishës në Tokën e Shenjtë si dhe çështja parimore mbi zbatimin e Marrëveshjeve, e ashtuquajtura ‘vlefshmëri territoriale’. Janë këto, për përfaqësuesin papnor pranë Izraelit dhe Autoritetit Kombëtar Palestinez, imzot Gjuzepe Laxaroto, dy pikat, që duhen sqaruar, për të arritur në përfundim të bisedimeve ndërmjet Izraelit e Selisë së Shenjtë, mbi bazë të nenit 10&2 të Fundamental Agreement (Marrëveshjes Themelore). Në një intervistë, dhënë në Tokën e Shenjtë e rimarrë nga agjencia Sir, nunci shpreh optimizmin e tij dhe shpjegon se duhen mbyllur një herë e mirë këto aspekte, për të mos lejuar që zbatimi i marrëveshjeve të bëhet problematik e të krijojë ngatërresa të reja, në vend që t’i zgjidhë të vjetrat. Po nuk jemi larg nga përfundimi, pohon, vijat e përgjithshme janë përcaktuar tashmë. Tani duhet të arrijmë vetëm në formulimet më të përshtatshme për t’i shprehur parimet sa më qartë që të jetë e mundur: e kjo kërkon kohë. Duke folur për përjashtimin nga taksat, që gëzonin institucionet katolike në të kaluarën, nunci pohon se në Marrëveshjet institucionet do të dallohen mbi bazë të veprimtarive të tyre. Kuvendet për shembull, si edhe institucionet me qëllime edukative dhe asistenciale, ose manastriret, që nuk zhvillojnë veprimtari me përfitim, nuk do të trajtohen si shtëpitë e pritjes. Bisedimet kanë të bëjnë edhe me rreth 30 prona të kërkuara nga disa palë, ndërmjet të cilave, edhe Çenakulli: edhe për këtë nunci shpreson se do të arrihet në një përfundim pozitiv.
Të gjitha palët e interesuara, pohon, janë në ndjekje të çështjes; Selia e Shenjtë, Rojtaria e Tokës së Shenjtë, autoritetet izraelite e islamike, sepse dihet që Çenakulli është Vakuf, apo pronë familiare fetare. Nuk do të jetë ‘rikthim’, formula, që do të përdoret, por me realizëm po bëhen përpjekje të arrihet në përdorimin sistematik, të vazhdueshëm, të sallës së Çenakullit, si vende shenjt e, prej këndej, kulti.








All the contents on this site are copyrighted ©.