Papa: Zoti na ndihmoftë të grumbullojmë thesare, që na shpëtojnë zemrën
T’i kërkojmë Zotit hirin e një zemre, që di të dojë e nuk na lë të dredhojmë rrugë
në kërkim të thesareve të kota. Ky është thelbi i homelisë, që mbajti sot në mëngjes
Papa Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë Meshës bashkëkremtuar me kardinalin
Françesko Kokopalmieri, ipeshkvin Huan Injacio Arrieta dhe ndihmësin Hosé Aparesido
de Almeida, përkatësisht kryetar, sekretar e zevendës-sekretar i Këshillit Papnor
për Tekstet Ligjore, shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të dikasterit. I pranishëm
në kremtim, personeli i Fabrikës së Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, kryesuar
nga imzot Xhakomo Çereto, si dhe punonjësit e Shtëpisë së Shën Martës.
Kërkimi
i të vetmit thesar, që mund ta marrësh me vete në jetën pas jetës, është arsyeja e
të qenit i krishterë. Është arsyeja e vetë jetës, që Jezusi ua shpjegon dishepujve
në fragmentin e sotëm të Ungjillit, sipas Mateut: “Ku është thesari yt, atje do të
jetë edhe zemra jote”. Problemi, shpjegoi Papa Françesku, është të mos i ngatërrojmë
pasuritë. Ka thesare të rrezikshme, që të joshin, por që duhen lënë. Janë ata, që
kemi mbledhur gjatë jetës, por që nuk mund t’i marrim me vete atje, ku do të shkojmë
pas vdekjes. Unë, vërejti jo pa ironi Papa, nuk kam parë kurrë ndonjë kamion ngarkuar
me plaçka, që shkon pas arkivolit, kurrë! Por është edhe një thesar, që mund ta marrim.
Nuk mund të na e rrëmbejë askush. Nuk është ai, që e kursyem për vete, por thesari,
që ua dhuruam të tjerëve: “Këtë thesar, që ua dhamë të tjerëve, këtë
e marrim me vete. E kjo do të jetë edhe merita jonë, domethënë e Jezusit, që është
në ne! Këtë e marrim me vete. Na lë vetë Jezusi ta marrim. Dashuria, bamirësia, shërbimi,
durimi, mirësia, butësia, janë thesare të bukura: këto, po, i marrim me vete. Të tjerat,
jo!”. Mund të themi, pra, se thesari që vlen para syve të Zotit, është
ai, i cili mblidhet nga toka, për qiell. Po Jezusi, kujtoi Papa Françesku, shkon më
larg: e lidh thesarin me zemrën, krijon një lidhje ndërmjet dy termave. Kjo, shtoi,
sepse zemra jonë është e shqetë: Zoti vetë e bëri kështu, për ta kërkuar Atë: “Zoti
na bëri të shqetë, për ta kërkuar, për ta gjetur, për t’u rritur. Por nëse thesari
ynë nuk është pranë Zotit, nuk është nga Zoti, zemra jonë shqetësohet për gjëra pa
pikë vlere, për thesare, që nuk hyjnë në punë. Shumë njerëz janë të shqetë, e edhe
ne vetë... Për të pasur këtë, për të pasur atë... E, në fund të fundit, zemra jonë
lodhet, pa u mbushur kurrë: lodhet, dembeloset, bëhet zemër pa pikë dashurie. Lodhja
e zemrës! Të mendojmë për këtë. Unë si e kam zemrën, të lodhur? Që s’mendon tjetër,
veç për të sistemuar dy-tri gjëra, një llogari të mirë në bankë, këtë e ndonjë gjë
tjetër të kësaj natyre? Apo kam zemër të shqetë, gjithnjë në kërkim të gjërave jo
materiale, të gjërave të Zotit? Duhet pasur gjithnjë kujdes për këtë shqetësim të
zemrës”. Në këtë pikë, vijoi Papa Françesku, Krishti vë theksin edhe mbi
syrin, që është simbol i ndjeteve të zemrës. Zemra që do, e ndriçon edhe korpin;
zemra e keqe, e nxin. Nga kontrasti dritë-hije, vërejti Papa, varet edhe gjykimi ynë
mbi sendet E tregon fakti se luftërat vijnë pikërisht nga një zemër guri, e lidhur
me thesaret e tokës, me thesaret egoiste, që mund të bëhen edhe thesare të urrejtjes. Në
fund, me ndërmjetësimin e Shën Luigj Gonzagës, që u përkujtua sot në Kishë, Papa
i kërkoi Zotit hirin e një zemre të re, zemër mishi, jo guri:“Të gjitha copat
e zemrës, që janë prej guri, Zoti i bëftë njerëzore, me shqetësimin e ankthin e mirë
për ta kërkuar Atë, duke e lënë të na kërkojë. E kjo do të na shpëtojë! Zoti na e
shndërroftë zemrën, që të mbledhë thesarin e vërtetë e kështu të bëhemi njerëz të
dritës, jo të terrinave”.