2013-06-21 17:07:50

Papa Françesku nuncëve apostolikë: të jeni barinj, të lidhur gjithnjë fort me Zotin.


“Ta doni Kishën e vendin, ku jeni të thirrur të shërbeni, duke u flijuar, duke u shkëputur nga vetvetja e duke u lidhur gjithnjë më ngushtë me Zotin”. Kështu u shpreh Papa në audiencën me nuncët, delegatët apostolikë dhe vëzhguesit e përhershëm të Selisë së Shenjtë në botë, që i priti sot në Sallën Klementine në Vatikan, në fillim të shtegtimit të tyre në Romë. Takimi pason atë, që u mbajt dhjetë vjet më parë, me rastin e Jubileut të Madh të Vitit 2000. Organizohet në kuadrin e Vitit të Fesë, si rast i përshtatshëm për shkëmbimin e përvojës, për t’u lutur, për të reflektuar e për të jetuar së bashku një çast vëllazëror, duke thelluar kështu, kuptimin e misionit të përfaqësuesve papnorë në të katër anët e botës, në rrethanat e sotme.
Veprimtaria u hap me audiencën tek Papa i cili, përmes fjalëve drejtuar përfaqësuesve të Selisë Shenjte në të katër anët e botës, sintetizoi tiparet themelore që karakterizojnë diplomatët papnorë; jetë endacake, ndërrim i vazhdueshëm vendi, kalim nga një Kontinent në tjetrin, nga një vend në tjetrin, nga një Kishë në tjetrën, shpesh me ndryshime të mëdha; gjithnjë me valixhe në dorë.
Në vijim Papa bëri pyetjen: “Ç’na thotë kjo jetë? Cili është kuptimi i saj shpirtëror?”. Ka kuptimin e shtegtimit, u përgjigj, qëndror për jetën e fesë, duke nisur nga Abrahami, njeri i fesë në shtegtim, që i mbështet të gjitha shpresat në Tënzonë.
“Sipas meje shtegtimi ka dy elemente kryesore; i pari është flijimi, zhveshja nga sendet, nga miqtë, nga lidhjet, rifillimi gjithnjë nga e para; i dyti, jeta endacake, gjithnjë përudhë, siç përshkruhet në Letrën drejtuar Hebrenjve, ku pohohet se etërit i panë e i përshëndetën vetëm nga larg të mirat e premtuara, duke deklaruar se ishin shtegtarë mbi këtë tokë” (cfr. 11.13).
Secili nga ne, vijoi Papa, duhet ta pyesë veten: “Cili është premtimi im? Ç’kërkoj në jetë?”. Kërkoj Zotin, është e vetmja përgjigje, Ai është toka e premtuar.
Më pas, duke cituar fjalët e Papës Montini, Ati i Shenjtë sintetizoi tiparet e përfaqësuesit papnor, që duhet të jetë “njeri i vetëdijshëm se mbart në shpirt vetë Krishtin”, si pasuria më e çmuar, që duhet komunikuar, duhet kumtuar, duhet përfaqësuar:
“E kjo kërkon shkëputje nga vetvetja, kërkon lidhje të ngushtë me Zotin e shkrirje të jetës në jetën e Krishtit. Familjariteti me Jezusin në lutje, në Kremtimin Eukaristik, në shërbimin e bamirësisë, duhet të jetë ushqim i përditshëm”.
Papa u tërhoqi diplomatëve të tij vëmendjen të ruhen nga ‘borgjezimi i shpirtit e i jetës”, që të shtyn të kërkosh ditë të qeta e të rehatshme. Citoi, për këtë, një Papë tjetër, shumë vjet në shërbimin diplomatik të Kishës, Gjonin XXIII. Papa Ronkali mendonte se vreshti i Zotit duhet krasitur vazhdimisht, duhet pastruar nga degët e gjethet e thata, për të shkuar tek ajo, që është themelore; tek Krishti e Ungjilli i Tij, përndryshe misioni i shenjtë mund të bëhet qesharak.
“Është fjalë e fortë kjo, por e vërtetë: shpirti i botës na krijon ne, barinjve, rrezikun të bëhemi qesharakë. Mund të na duartrokasin, por pastaj, pikërisht ata, që duket sikur na lavdërojnë, na kritikojnë pas shpine”.
Jemi barinj; këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, tha Papa, e në përfundim u ndal tek një nga veprimtaritë më të rëndësishme të përfaqësuesve diplomatikë papnorë: emërimet e ipeshkvijve. Prej këndej, identikiti i ipeshkvijve të vërtetë:
“Vëmendje, që kandidatët të jenë barinj gjithnjë pranë njerëzve, etër e vëllezër, të butë, të duruar e të mëshirshëm, me dashuri për varfërinë shpirtërore, parë si liri për Zotin, e atë materiale, si thjeshtësi e përkorje jete, që e përjashton psikologjinë e të jetuarit si princa. Të jeni të vëmendshëm, që të mos jenë ambiciozë, të mos kërkojnë episkopatin – volentes nolumus - e të jenë dhëndurë të një Kishe të vetme, larg kërkimit të vazhdueshëm të një tjetre. Të jenë, sidomos, të aftë ta ruajnë grigjën, që u është besuar”.
Shembulli më i mîrë për ta është Shën Jozefi, tha në vijim Papa, duke porositur:
“Barinjtë të jenë para grigjës, për t’i prirë; në mes të grigjës, për ta mbajtur të bashkuar e mbrapa grigjës, për të shmangur rrezikun që ndonjë dele të mbetet pas”.
Papa kujtoi edhe vështirësitë e përfaqësuesve të tij në vende, që tronditen nga konfliktet, si dhe endjen, pa mundur të lëshojnë rrënjë në një vend, në një kulturë, në një realitet të posaçëm kishtar. Por, kujtoi, është jetë që ecën drejt premtimeve e i përshëndet nga larg. Jetë në shtegtim, përdore me Jezu Krishtin.
Fjalët e fundit të Papës, pasi u kërkoi të pranishëmve të luten për të, ishin: “Zoti ju bekoftë e Zoja e Bekuar ju ruajtë”.

Pas takimit me Papën, nuncët vijuan programin e ditës. Vizituan Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, ku adhuruan të Shenjtnueshmin Sakrament e kremtuan lutjet mbrëmësore, kryesuar nga kardinali Xhejms Majkëll Harvei, kryeprift i Bazilikës, shoqëruar me meditimin e mbajtur nga kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës.
Një ndalim i shkurtër, pastaj, tek Varri i Apostullit të Popujve dhe vizita në zonën arkeologjike të Bazilikës.
Dita e parë e takimit përfundoi në Oborrin vezak të Shtëpizës Piu IV, me darkën, në praninë e Atit të Shenjtë.
Nesër përfaqësuesit diplomatikë të Vatikanit do ta nisin ditën e re të shtegtimit në Romë me rastin e Vitit të Fesë, me bashkëkremtimin eukaristik, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në Kapelën e Korit të Bazilikës së Vatikanit. Më pas, Ora e Tretë në Sallën e Re të Sinodit dhe takimi i punës me eprorët e Sekretarisë së Shtetit. Dreka, në Shtëpinë e Shën Martës, ndërsa në orën 17.00, koncerti në Sallën e Palit VI, në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.