2013-06-20 14:40:42

Papa Roako-s: të marrë fund vuajtja në Siri e dhuna në Tokën e Shenjtë!


Thirrje e fortë për të ndihmuar popullsinë siriane, që jeton në vuajtje, si dhe refugjatët e mërgimtarët. Papa Françesku e ngriti fort zërin në takimin me pjesëmarrësit në Asamblenë e 86-të të Roako-së (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), që pikërisht sot përfundoi punimet. Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë edhe për gjendjen e pasigurt e dhunën, që po ushtrohet mbi të krishterët e Tokës së Shenjtë.
Pranë, me mirënjohje: kështu i shprehu Papa Françesku ndjenjat e mbarë Kishës për anëtarët e agjencive të Roako-s. Duke i takuar sot në Vatikan, i nxiti të mos e humbasin shpresën përballë vështirësive dhe bëri thirrje t’i jepet fund të gjitha dhimbjeve, të gjitha tipeve të dhunës, të diskriminimit fetar, kulturor e shoqëror. Ndeshjet, që mbjellin vdekje, shtoi Papa, duhet t’i lënë vendin takimit e pajtimit, sepse sjell jetë. Pastaj, nxitja për të mos e harruar Sirinë, që jeton në një mjerim të vërtetë:
Ju kërkoj të bëni gjithçka është e mundur për të lehtësuar nevojat e mëdha të popullsive të goditura, posaçërisht atyre siriane. Të njerëzve të dashur të Sirisë, të shpërngulurve, refugjatëve, gjithnjë më të shumtë. Pikërisht Shën Injaci i Antiokisë u kërkonte të krishterëve të Romës: ‘Kujtojeni në lutjen tuaj Kishën e Sirisë... Jezu Krishti nuk do ta harrojë atë e bamirësinë tuaj! (Letër romakëve IX,I). Edhe unë ju përsëris: ‘Kujtojeni në lutjen tuaj Kishën e Sirisë! Jezu Krishti nuk do ta harrojë atë e lutjen tuaj’. Zotit të jetës ia besoj viktimat e shumta e i lutem Nënës së Tij të Shenjtnueshme t’i ngushëllojë të gjithë ata, që janë në mjerim të thellë (Ap 7,14). Vërtet vuajtje e madhe, kjo”.
Por jo vetëm Siria është në zemër të Papës. Është edhe Toka e Shenjtë, viset e shenjta, trojet e shëlbimit tonë:
“.. më përtërihet në shpirt shqetësimi i madh kishtar për kushtet e shumë vëllezërve e motrave, që jetojnë në një situatë të pafundme pasigurie e dhune, e cila nuk i kursen as njerëzit më të pafajshëm e më të ligshtë. Ne, besimtarëve, na kërkohet lutje e vazhdueshme e plot besim, që Zoti të na japë hirin e paqes së dëshiruar e të solidaritetit konkret”.
Papa i kujtoi me dashuri katolikët lindorë që, në rrjedhë shekujsh, përballuan vuajtje e mundime, për ta dëshmuar besojmën e tyre të krishterë e për ta ruajtur fenë. E i shprehu mirënjohjen Zotit për besnikërinë e tyre ndaj Krishtit, ndaj Ungjillit e Kishës:
"Dëshiroj t’i inkurajoj e t’i mbështes në ushtrimin e dashurisë së krishterë, e vetmja arsye krenarie për dishepujt e Jezusit. Kjo dashuri buron nga dashuria e Hyjit në Krishtin: Kryqi është maja, shenja e lumnueshme e mëshirës dhe e dashurisë së Zotit, që u ndikua në zemrat tona, për virtyt të Shpirtit Shenjt (cfr Rm 5,5).
Është detyrë, vijoi Papa, t’i nxisim besimtarët për të bërë mirë, sepse dashuria e krishterë është e pandashme nga feja. Veprimtaria jonë, vijoi, do të jetë e frytshme vetëm në se i ka rrënjët në fe, ushqehet nga lutja, posaçërisht nga Eukaristia Shenjte, Sakrament i fesë e i dashurisë. Në fund, ftesa për vijimin e realizimit të projekteve, që synojnë formimin e njerëzve, posaçërisht të rinjve, duke i përgatitur për të përballuar jetën:Mos e harroni kurrë se këto projekte duhet të jenë shenjë e dëshmisë së dashurisë së Zotit, që përbën identitetin e krishterë. Kisha, në larminë e pasurinë e pjesëve të saj përbërëse e të veprimtarive të saj, nuk e gjen sigurinë në mjete njerëzore. Kisha është e Zotit, ka besim në praninë e në veprimin e tij, sjell në botë pushtetin e Hyjit, që është pushtet i dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.