Ndërhyrje e Selisë së Shenjtë në FAO: “Zhvillimi bujqësor e siguria ushqimore”
Delegacioni i Selisë së Shenjtë vlerëson veprimtarinë e FAO-s (Organizata e OKB-së
për Ushqimin dhe Bujqësinë) në favor të zhvillimit bujqësor e të garantimit të ushqimit
në botë. Ky objektiv, theksoi kreu i delegacionit, nunci apostolik, imzot Luigji Travaljino,
në sesionin e 38-të të Konferencës së FAO-s, duhet arritur me impenjimin e të gjitha
shteteve anëtare, duke respektuar parimin etik të solidaritetit, bazë për bashkëjetesën
paqësore në botë. FAO, theksoi ai, duhet të marrë nga shtetet anëtare fondet e nevojshme
për zbatimin e programeve të saj. Më pas, imzot Travaljino përmendi disa nga fushat
e ndërhyrjes së FAO-s, që Kisha Katolike i konsideron më interesante, si zhvillimi
i prodhimit bujqësor e blegtoral, si edhe peshkimi, por me synimin e mëkëmbjes së
ekonomisë familjare dhe të zhdukjes së varfërisë në fshat. Selia e Shenjtë i nxit
shtetet të përkrahin artizanët, të cilët mbajnë familjet në pjesën më të madhe të
vendeve në zhvillim. Ndërsa vendeve të zhvilluara, këshilla për të favorizuar ndryshimin
e mënyrës së jetesës. Konsumi pa fre, shpërdorimi i ushqimit, ose përdorimi i prodhimeve
bujqësore për qëllime, që s’kanë të bëjnë me ushqimin e popullsisë, është një model
i dështuar, siç dëshmon kriza aktuale. Për të mos folur për dëmin, që u sjell brezave
të ardhshëm. Duhet punuar edhe me mekanizmat e shpërndarjes së prodhimeve ushqimore,
theksoi imzot Travaljino, pasi, pavarësisht se sasia e tyre është më e madhe se nevoja,
nuk arrin të pakësojë numrin e të uriturve. Shpërndarja e, si rrjedhojë, edhe bashkëjetesa
paqësore ndërmjet kombeve, varet nga vendime, që duhen bazuar mbi parimin e solidaritetit,
përfundoi përfaqësuesi i Vatikanit.