2013-06-18 15:09:01

Papa besimtarëve të Dioqezës së Romës: “Të jeni dëshmitarë të guximshëm e të durueshëm”


Mbrëmë, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, përplot me njerëz, nisi, në një atmosferë jashtëzakonisht festive, Takimi kishtar i Dioqezës së Romës me temë: “Krisht, kemi nevojë për Ty! Përgjegjësia e të pagëzuarve për kumtimin e Jezusit”.
Punimet i hapi Papa Françesku që, para se të hynte në sallë, u ndalua një copë herë për të përshëndetur qindra besimtarët, të cilët e ndoqën ngjarjen nga jashtë, përmes ekraneve të mëdha të Sheshit të Shën Pjetrit, që pasqyrojnë gjithnjë ngjarjet e rëndësishme, kremtuar në Bazilikë ose në Sallën e Palit VI. “Mua nuk më vjen turp prej Ungjillit” – ky, titulli i katekizmit, që mbajti Papa e Ipeshkvi i Romës, përpara të cilit kardinali mëkëmbës, Agostino Valini, ripohoi besnikërinë ndaj mësimeve të Atit të Shenjtë dhe impenjimin e dioqezës në veprimtarinë e Ungjillëzimit, në një qytet që vijon të pësojë ndryshime të thella.

Duartrokitje të vazhdueshme, që dukej sikur nuk do të mbaronin kurrë; zëra brohoritëse, tinguj të orkestrës së Dioqezës së Romës, lojë mahnitëse dritash: këtë pamje kishte mbrëmë Salla e Palit VI kur, me buzë në gaz, si zakonisht, hyri Papa Françesku. Pas përshëndetjes, plot emocion, të kardinalit Valini, nisi Leximi I, pasuar nga katekizmi i Papës, lutjet e meditimet, përqendruar tek Pagëzimi, ungjillëzimi, afërsia me qytetarët e Romës, posaçërisht me të varfërit e të vegjlit.
Atmosferë gëzimi e lutjeje në sallë. Lajtmotivi: “Mua nuk më vjen turp prej Ungjillit”. “Si njerëz të pagëzuar, nuk jeni më nën ligj, por nën ndikimin e hirit”. Papa u nis nga këto fjalë të Shën Palit drejtuar Romakëve, për të shpjeguar, në katekizmin e tij, ç’do të thotë të jetosh nën ndikimin e hirit e ç’lidhje ka kjo me ungjillëzimin. Hiri është gëzimi ynë, është liria jonë si bij të Hyjit, është revolucioni, që i shndërroi zemrat, që i bëri mëkatarët shenjtorë, si Shën Pali. Këtë hir, i cili na u dhurua, duhet edhe ta dhurojmë, t’ia dhurojmë të afërmit, shpjegoi Papa Françesku. Më pas, Ati i Shenjtë foli për realitetin romak e për njerëzit, që shpresojnë më kot në një shoqëri që, për fat të keq, nuk mund t’u japë shpresë:
“E, në mes të dhimjeve të shumta, të shumë problemeve, që nuk mungojnë, këtu, në Romë, ka njerëz që jetojnë pa shpresë. Secili nga ne mund të mendojë, në heshtje, për njerëzit, që jetojnë pa shpresë, zhytur në trishtim të thellë, nga i cili përpiqen të shpëtojnë, duke besuar se mund ta gjejnë lumturinë në dehje, në drogë, në bixhoz, në pushtetin e parasë, në seksualitetin e shfrenuar...”.
Është detyra jonë t’u rikthejmë shpresat e humbura. T’u japim shpresën me gëzimin tonë, theksoi Papa, duke iu drejtuar besimtarëve, të cilët vijuan ta miratojnë me gjuhën e duartrokitjeve. “E si mund t’i kthehet shpresa, atij që e ka humbur?”, pyeti në vijim. Me gëzimin tonë, me buzëqeshjen tonë e, sidomos, me dëshminë tonë. Dëshmia kërkon guxim e duresë, virtyte të Shën Palit e të shumë të krishterëve, me të cilat duhet të dalim e t’i takojmë njerëzit, të nisemi drejt skajeve e skutave të qyteteve e të jetës. Më pas, ftesa drejtuar bashkësisë:
“Po ç’duhet të bëjmë me guxim e duresë? Duhet të dalim nga vetvetja. Të dalim nga bashkësitë tona, për të shkuar atje, ku burrat e gratë jetojnë e vuajnë, për t’u kumtuar mëshirën e Atit, i cili u duk mes njerëzve në Jezusin e Nazaretit. Ta kumtojmë këtë hir, që na u dhurua nga Jezusi”.
Po kemi përballë edhe një armik tjetër, përfundoi Papa, që mund t’i kundërvihet ungjillëzimit: është zhgënjimi, trishtimi, që mbjell djalli në shpirtin tonë; kjo është luftë shpirtërore, është martirizim i gjithë të krishterëve, për të cilin duhet të përgatitemi. Pa harruar kumtin e fundit: “Mos kini frikë!”.
Ishte një himn kushtuar hirit, ky i Papës Françesku, në mes të njerëzve, që janë krahët e tij të hapur për t’i rrokur romakët deri në skutat më të harruara të dioqezës vigane të Qytetit të Amshuar. Njëkohësisht edhe sulm kundër të krishterëve, që nuk besojnë në Krishtin, por në perëndeshën ankesë, bazuar te Ungjillin e Bariut të Mirë, që lë 99 dele, për të kërkuar e për të gjetur delen e humbur. Duhet të ecim pas gjurmëve të Kryebariut, porositi Papa, aq më tepër sot, kur kemi vetëm një dele të shpëtuar e 99 të humbura. Prej këndej ftesa e Atit të Shenjtë për t’u nisur në kërkim të deleve të humbura, në periferitë e qytetit të madh, ku jetojnë njerëzit e në skutat e fshehta të zemrave të tyre. E edhe ftesa për të qenë barinj, që nuk i qethin, po i ruajnë delet. Papa kujtoi edhe një herë shprehjen: “Një kishë e varfër, për të varfërit”, gjë që nuk do të thotë të synosh varfërinë masive, e as të dalësh për të lypur rrugash. Do të thotë të shkosh drejt korpit e gjakut të Krishtit, që është edhe mishi e gjaku i të urtit e i dijetarit. E gjithçka, në emër të revolucionit të vërtetë, që bëri Jezusi me Ngjalljen e Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.