2013-06-18 15:09:20

Dokument për dialogun katoliko-luteran: “Nga konflikti në bashkim”


“Nga konflikti në bashkim”: ky është titulli i një dokumenti për dialogun katoliko-luteran, që u paraqit dje në Gjenevë, në praninë e kardinalit Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve. Prelati u ftua në paraqitjen e ngjarjeve të vitit 2017, me të cilat Federata Luterane Botërore do të kremtojë 500 vjetët e Reformës së Luterit. Ndërkaq, dokumenti përshkon etapat e marrëdhënieve ndërmjet katolikëve e luteranëve, që nga ndarja e deri tek bashkëpunimi, në udhën e përbashkët drejt bashkimit. Të dëgjojmë përgjegjësin për këto marrëdhënie në dikasterin papnor, imzot Matthias Turk:
Është etapë vërtet e rëndësishme. Pas kaq shekuj konfliktesh e keqkuptimesh – të cilat kanë sjellë madje edhe luftra ndërmjet kombeve e ndërmjet njerëzve brenda një vendi, siç e dimë nga historia – ky është përvjetori i parë i Reformës, që mund ta kremtojmë së bashku, në mënyrë ekumenike. Siç tha Martin Jung, sekretari i përgjithshëm i Federatës Luterane Botërore, kujtimi i Reformës do të jetë ngjarje ndërkombëtare, por duhet të ketë karakter ekumenik, për dëshminë tonë të përbashkët.
Synimi i dokumentit nuk është ta ndryshojë historinë, por ta tregojë ndryshe atë. Si mund të arrihet kjo?
Arsyet, që kanë sjellë ndarje në Kishë, shpesh bazohen mbi keqkuptime e interpretime të ndryshme të fesë e të bindjeve teologjike. Gjatë dialogut ekumenik ndërkombëtar, kemi ditur të rizbulojmë themelet e përbashkëta, bazat e fesë e kemi qenë në gjendje të pohojmë se këto pika nuk janë arsye për ndarje ndërmjet Kishave. Dokumenti i përmbledh këto hapa dhe sheh drejt së ardhmes, duke përvijuar hapin tjetër të përbashkët.
Në një shoqëri si kjo e sotmja, dëshmia e përbashkët e të krishterëve shihet tashmë si urgjencë. Por cila udhë duhet ndjekur?
Çështja e Zotit është shumë e rëndësishme, siç pohonte me forcë Benedikti XVI, por ka edhe çështje të tjera. Ne duhet të dëshmojmë para Zotit, Krijues e Shëlbues, para Jezu Krishtit e Shpirtit Shenjt. Ne e njohim vetveten në këtë Trini Hyjnore e pikërisht Ajo e ka themeluar Kishën, një të vetme, shenjte, katolike e apostolike, pra, bashkësinë tonë të krishterë. Duhet t’i kapërcejmë ndarjet e të dëshmojmë atë, që Jezu Krishti e ka themeluar për ne: vetëm kështu mund të binden njerëzit, sidomos në kohët e sotme.
Në dokument nënvizohet edhe rëndësia e Pentekostalëve dhe e Lëvizjeve të reja të krishtera në udhën e pajtimit…
Ne mbajmë kontakte me të gjitha denominacionet e krishtera në nivel global e ky dokument mund të jetë teksti fillestar i çdo lloj dialogu ekumenik, sepse flet për synimet bazë të reformave të Kishës, gjithnjë të nevojshme, e flet edhe për marrëdhëniet tona me Zotin.








All the contents on this site are copyrighted ©.