2013-06-17 15:27:00

Prishtina e Beogradi shkëmbejnë përfaqësuesit zyrtarë


Prishtina dhe Beogradi kanë shkëmbyen sot zyrtarët për ndërlidhje. Këtë rol në Prishtinë e mban Dejan Paviqeviq, ndërsa Lulzim Peci në Beograd.
Hapja e misioneve të posaçme diplomatike të Kosovës dhe Serbisë në Vendet përkatëse është vlerësuar si hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura.
Kjo është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Detyra e dy përfaqësuesve zyrtarë për ndërlidhje do të jetë para së gjithash zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe lehtësimi i komunikimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Lulzim Peci, tha se pret “bashkëpunim të hapur e të mirë me institucionet shtetërore serbe”. “Kjo është një ditë shumë e rëndësishme sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, pohoi Peci para selisë së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, ku edhe do të jetë zyra e tij.
“Jam këtu për të dhënë kontributin tim në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona”, ka thënë Peci, raporton Beta.
“Me vetë faktin që unë do të jem në Prishtinë dhe zoti Peci në Beograd, do të bisedojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë, do t’i përçojmë porositë më shpejt, do ta lehtësojmë komunikimin e përditshëm dhe zbatimin e marrëveshjeve. Unë mendoj se kjo do të kontribuojë mjaft për lehtësimin e situatës aktuale”, tha Paviqeviq.







All the contents on this site are copyrighted ©.