Papa takon Kryetarin e Komisionit BE Barroso: tepër e rëndë kriza për familjet e të
rinjtë
Kriza dhe ndikmi i saj tejet i rëndë mbi jetën e familjeve e, posaçërisht, të të rinjve,
ishte argumenti kryesor i bisedës ndërmjet Papës Françesku dhe kryetarit të Komisionit
Evropian, Zhoze Manuel Barozo (José Manuel Durão Barroso), i cili dje u prit në audiencë,
në Vatikan. “Bisedimet e përzemërta, saktëson një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit,
krijuan mundësitë për shkëmbimin e opinioneve mbi situatën ndërkombëtare, me vëmendje
të posaçme tek procesi i intregrimit evropian, si dhe tek kriza e rëndë ekonomike,
që po zgjatet tepër, me pasoja tejet të rënda mbi punësimin, posaçërisht të të rinjve,
e jo më pak, edhe mbi jetën e familjeve. Përveç kësaj, vijon nota, u fol edhe për
ndihmesën e çmuar që mund të japë Kisha katolike në rrethanat aktuale për mirëqenien
materiale e shpirtërore të Evropës. Së fundi, një vëmendje e posaçme iu kushtua mbrojtjes
së të drejtave të njeriut, duke u ndaluar posaçërisht tek liria fetare dhe mbrojtja
e pakicave të krishtera në botë”. Pas takimit me Papën, Kryetari Baroso u takua edhe
me Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone dhe imzot
Dominik Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.