Papa takohet me presidentin venezuelan Maduro: bisedohet për periudhën pas Chavez
e trafikun e drogës
Analiza e situatës në Venezuelë pas Chavez-it dhe lufta kundër krimit të tregtisë
së drogës, ishin sot paradite, në qendër të bisedimeve të Papës Françesku me presidentin
e Republikës Bolivariane të Venezuelës, Nicolás Maduro Moros, që u prit në audiencë,
në Vatikan. “Gjatë takimit, zhvilluar në një atmosferë të përzemërt, njofton një notë
zyrtare e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u bisedua posaçërisht për situatën shoqërore
e politike në vend pas vdekjes së presidentit Hugo Chávez Frias, si dhe për disa probleme
aktuale, si varfëria e lufta kundër kriminalitetit dhe trafikut të drogës. U cek edhe
situata rajonale, me vëmendje të posaçme mbi procesin e paqes në Kolumbi. Në vijim
të bisedimeve, pohon komunikata, u kujtua edhe prania e Kishës katolike në vend dhe
ndihma e saj vendimtare në fushën e bamirësisë, të shëndetësisë e të arsimit, duke
theksuar se është i nevojshëm një dialog i sinqertë e i përhershëm ndërmjet Konferencës
ipeshkvnore e Shtetit, për zhvillimin e mbarë Kombit”. Në përfundim të audiencës
me Papën Françesku, presidenti Maduro u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë
së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone dhe imzot Dominik Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet
me Shtetet.