Me 17 qershor kalendari kujton shën Qirilin e Aleksandrisë
Kisha katolike përkujtoi sot një nga Shenjtorët me emrin Qiril, atë të Aleksandrisë. I
lindur në vitin 370, nga viti 412 e derisa vdiq, në vitin 444, mbajti me guxim në
duar frenat e Kishës së Egjiptit, duke e kryer misionin e tij ipeshkvnor në një nga
periudhat më të vështira të jetës së Kishës lindore, në luftë për ruajtjen e ortodoksisë,
në emër të papës Çelestini. E pikërisht në këtë qëndrim plot vendosmëri në shërbim
të doktrinës e në guximin me të cilin mbrojti të vërtetën katolike, shikojmë shenjtërinë
e ipeshkvit luftarak të Aleksandrisë, që u njoh vonë në perëndim. Kulti i tij u
përhap në mbarë Kishën vetëm nën Papninë e Leonit XIII. E po atëherë iu dha edhe titulli
doktor i Kishës, duke iu njohur kontributi në mbrojtje të ortodoksisë, kundër gabimeve
të Nestorit, ipeshkëv i Kostandinopojës, ndonëse nën kërcënimin e burgut e të internimit.
“Ne – shkruan Shenjti – për të mbrojtur fenë e Krishtit, jemi gati të përballojmë
gjithçka: zinxhirët, burgun, të gjitha trazirat e jetës e edhe vetë vdekjen”. Në Konçilin
e Efezit, ku Shën Qirili ishte protagonist, kundërshtari i tij, Nestori, që kishte
shkaktuar një stuhi të vërtetë në Kishë, duke vënë në dyshim amësinë hyjnore të Marisë,
doli përfundimisht nga skena. Me këtë rast Shenjti hartoi një teologji të qartë e
të vërtetë të Mishërimit të Krishtit. Kundërshtar i klasit të parë, Qirili nuk e kurseu
kurrë dhantinë e fjalës, me të cilën e kishte pajisur Zoti, në mbrojtjen e të vërtetave
të fesë, së cilës i shërbeu edhe si teolog i mprehtë e si bari shpirtrash, duke na
lënë trashëgim 156 homeli të famshme mbi Shën Lukën si dhe letrat e tij të njohura
baritore, shprehur në 29 homeli të mbajtura në periudhën e Pashkëve.