Po jetës, jo idhujve: kështu Papa Françesku në Meshën e Ditës së Evangelium Vitæ,
duke kujtuar se Zoti fal gjithnjë.
“Ndjekja e udhës së Hyjit çon në jetë, ndërsa ndjekja e idhujve, në vdekje”. Kështu
u shpreh sot paradite Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, ku kryesoi Meshën
Shenjte me rastin e Ditës kushtuar “Evangelium Vitæ”, në kuadrin e Vitit të Fesë.
Mijëra, besimtarë, të pranishëm. Me ta, edhe delegacionet e ‘popullit të jetës’, ardhur
nga mbarë bota.
U rrethua menjëherë nga ngrohtësia e besimtarëve, Papa Françesku,
sapo u duk në Sheshin e Shën Pjetrit e nisi të përshkojë turmën, që kishte përfunduar
atë çast Rruzaren Shenjte. Papa e bekoi Sheshin në festë e, më pas, Mesha e homelia: “T’i
themi po dashurisë, jo egoizmit; po jetës, jo vdekjes; po lirisë, jo skllavërisë së
idhujve të shumtë të kohës sonë; me një fjalë, t’i themi po Zotit, që është dashuri,
jetë, liri, që nuk të zhgënjen kurrë”. Po fesë, pra, një feje, që na bën
të lirë e të lum, pohoi Papa, duke nënvizuar se vetëm besimi në Zotin e Gjallë na
shpëton; besimi në Hyjin, që në Jezu Krishtin na dhuroi jetën e vet e me dhantinë
e Shpirtit Shenjt, na bën të jetojmë si bij të vërtetë të Zotit. E më pas, duke kujtuar
liturgjinë e sotme, Papa vuri në dukje: “Kur njeriu dëshiron të nxjerrë në
pah vetveten, duke u mbyllur në vetëdashje e duke e vënë veten në vendin e Zotit,
shkon duke mbjellur veç vdekje. Egoizmi çon në udhën e gënjeshtrës, në përpjekjen
e kotë për të gënjyer vetveten e të afërmin. Po Zotin nuk mund ta gënjesh! Nuk gënjehet,
Zoti”. Foli për Zotin e të gjallëve, Zotin e pranishëm në histori, Zotin
që e çliron njeriun nga çdo lloj skllavërie, Papa, e pastaj u ndal përsëri tek dhurata
e Dhjetë Urdhërimeve: “Një udhë, që Zoti na e tregon për të jetuar jetë vërtet
të lirë, jetë të plotë; nuk janë himn, që i këndohet mohimit. “jo’-së: nuk duhet të
bësh këtë, nuk duhet të bësh atë! Jo! Janë himn kushtuar pohimit, ‘po’-së, Zotit,
dashurisë, jetës. Të dashur miq, jeta jonë është e plotë, vetëm në Hyjin, sepse vetëm
ai është i Gjalli”. Papa theksoi disa herë Shkrimin Shenjt, që na kujton
se Hyji është ai, që dhuron jetë e që na tregon rrugën e jetës së plotë: “Jezusi
është mishërimi i Hyjit të Gjallë, Atij që jep jetë, përballë veprave të shumta të
vdekjes, përballë mëkatit, egoizmit, mbylljes në vetvete. Jezusi mirëpret, do, larton,
inkurajon, fal e dhuron forcë të re për të vijuar udhën, rijep jetë”. E
madhe është mëshira e Zotit, që fal gjithnjë, ritheksoi Papa Françesku: “Hyji,
i Gjalli, është mëshirëmadh. A jeni dakord? Të themi së bashku: Hyji, i Gjalli është
i mëshirshëm! Të gjithë: Hyji, i Gjalli, është i mëshirshëm. Edhe një herë: Hyji,
i Gjalli, është i mëshirshëm”. E Shpirti Shentj është dhuratë e Krishtit
të Ngjallur, që na prin në jetën hyjnore, si bij të vërtetë të Hyjit, vijoi Papa: “I
krishteri është njeri shpirtëror, po kjo nuk do të thotë se jeton përmbi re, jashtë
realitetit (si të ishte fantazmë). Jo! I krishteri është njeri, që mendon e vepron
në jetën e përditshme sipas Hyjit; njeri, që e lëshon jetën e vet në dorë të Zotit,
që të frymëzohet e të ushqehet nga Shpirti Shenjt, për të qenë, kështu, jetë e plotë,
si e bijve të vërtetë. E kjo quhet realizëm e pjellori. Kush e lë Shpirtin Shenjt
t’i prijë, është realist, di ta masë e ta vlerësojë realitetin, e është edhe pjellor:
jeta e tij lind jetë rreth vetes”. Por njeriu shpesh lëshohet në krahë
të ideologjive e të logjikave të orientuara nga egoizmi, interesi, fitimi, pushteti,
argëtimet, ideologji që nuk diktohen nga dashuria, nga kërkimi i së mirës për tjetrin,
nënvizoi Papa: “Është ëndrra e përhershme me sy hapur për ta ndërtuar qytetin
e njeriut pa Zotin, pa jetën e dashurinë e Hyjit, për të ngritur një Kullë të re Babeli;
është mendimi se përjashtimi i Zotit, i mesazhit të Krishtit, të Ungjillit, nga jeta,
sjell lirinë, realizimin e plotë të njeriut. Rezultati është se Hyji i Gjallë zëvendësohet
me idhuj njerëzorë e kalimtarë, që të dhurojnë dehjen e një çasti të vetëm lirie,
por që, në fund të fundit, janë mbartës të skllavërisë e të vdekjes”. Vetëm
besimi në Hyjin e Gjallë na shpëton, tha në përfundim Ati i Shenjtë. E kjo fe na bën
të lirë e të lumtur!