2013-06-14 18:16:31

“Shqiptarët ortodoks në Maqedoni po u kthehen rrënjëve”


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi, priti sot misionarin e ringjalljes kombëtare ndër shqiptarët ortodoks në Maqedoni, Branko Manojlovski , të cilin e ka përgëzuar për punën e madhe dhe të mundimshme që është duke e bërë për vetëdijesimin kombëtar të një numri të madh të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni, të cilët, siç thuhet në një njoftim, në kohën e socializmit jugosllavë, kanë pësuar goditje të rënda të asimilimit kombëtar.
Misionari Branko Manojlovski, me origjinë nga Reka e Epërme ( që përfshinë 18 fshatra në rrethinat e Dibrës), i cili tash e 40 vjet jeton dhe punon në SHBA, por një pjesë të mirë të kohës e kalon në vendlindjen e tij, ka rrëfyer fakte pikëlluese për fatin e rreth 300 mijë shqiptarëve ortodoks në Maqedoni,, ringjalljes kombëtarëve të të cilëve ua ka kushtuar jetën e tij prej misionari.
Ai është shprehur optimist për suksesin e misionit të tij të vështirë: "Shqiptarët ortodoks në Maqedoni po u kthehen rrënjëve. Dua që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë ta dinë se vijnë nga etër e gjyshër shqiptarë, e ta kuptojnë se gjaku ujë nuk bëhet", është shprehur veprimtari nga Reka e Epërme, duke përkujtuar rilindësin e madh shqiptar të asaj treve, Josif Bageri.
Ai është shprehur shumë i kënaqur që ndodhet në Kosovën e lirë, duke i uruar popullit shqiptar të Kosovës suksese edhe më të mëdha në të ardhmen , e duke qenë i bindur se shteti i pavarur i Kosovës duhet të bëjë më shumë për bashkëkombësit tanë kudo që janë." Të punojmë shumë dhe drejtë për ardhmërinë e ndritur të kombit tonë", ka uruar Manojlovski.
Kryeparlamentari Krasniqi ka spikatur vështirësitë që kanë pasur rilindësit dhe çlirimtarët e popullit shqiptarë në faza të ndryshme të qenies së tyre kombëtare, duke theksuar se sakrificat ia kanë vlejtur. "Sot e kemi edhe Kosovën e pavarur, për përparimin dhe ngritjen e së cilës duhet të punojmë me përkushtim, siç do të kujdesemi edhe për përparimin dhe emancipimin e çdo pjese të trungut kombëtar, të mërgatës e të diasporës shqiptare", ka theksuar Krasniqi. (nga Qendra per informim e Kosoves)







All the contents on this site are copyrighted ©.