Shtegtimi kardinalit Filoni në Emiratet Arabe: “Të përtërihet feja, duke mundur tundimet,
që vijnë nga kultura të ndryshme”.
“Ju përfaqësoni larminë e njerëzve, për të cilën flasin ‘Veprat e Apostujve’
në ditët e Rrëshajëve”. Të gjithëve ju sjell përshëndetjet dhe bekimin e Papës Françesku,
që më siguroi se ndjehet shumë pranë jush, me dashuri e nderim të posaçëm”. Me këto
fjalë e nisi kardinali Fernando Filoni, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e
Popujve, homelinë e Meshës, kremtuar më 12 qershor në kishën kushtuar Shën Jozefit,
në Abu Dhabi. Kardinali kujtoi posaçërisht situatën në të cilën jetojnë emigrantët:
“E di se ju jeni nga vende të ndryshme, disa nga të cilat i njoh mirë, sepse kam kaluar
shumë vite nga jeta si meshtar e si ipeshkëv, duke u mësuar t’i vlerësoj e t’i njoh
kulturat tuaja. Sot ju jetoni këtu, në një tokë, që ju krijon kushte të punoni e të
fitoni bukën e gojës, për vete e për familjet tuaja. Është një aspekt i rëndësishëm,
sepse në jetë të gjithë jemi paksa emigrantë. Pastaj jetoni në një tokë të dashur
për Islamin, fe me të cilën ne, të krishterët, kemi të përbashkët parimin e një Zoti
të vetëm, adhurimin e të Tejetlartit dhe vlerën e lutjes. Këtu mësoheni ta jetoni
bashkëjetësën ndërfetare, të bazuar mbi respektin reciprok e bashkëpunimin në shumë
aspekte”. Kardinali Filoni i inkurajoi besimtarët, duke u kujtuar impenjimin e
bashkësisë: “Sot nuk mund të jesh i krishterë thjesht për arsye se u linde në një
familje të krishterë. Kjo vlen shumë më tepër për ju, që jetoni në një tokë të huaj.
Çdo ditë duhet ta përtërini fenë, duke e vënë Zotin në vend të parë e duke i mundur
tundimet, që vijnë nga kultura të ndryshme. Provat, që duhet të përballoni, nganjëherë
janë të rënda. Tundimi për ta lënë mënjanë fenë është gjithnjë i pranishëm, e përgjigjja
që i jepni Zotit duhet pohuar vazhdimisht!”. Gjatë vizitës së tij në Emiratet
Arabe, kardinali Filoni u takua me motrat komboniane dhe rregulltarë të tjerë, që
kryejnë misionin baritor në vikariat, ndërsa sot, në Ras Al Khaimah, ngjarja kryesore
e shtegtimit: kushtimi i Kishës së re kushtuar Shën Andout të Padovës. Me ndërtimin
e kushtimin zyrtar të Kishës së re, arrin në tetë, numri i vendeve të kultit katolik
në shtatë Shtetet e federatës së Emirateve. Vikariati i Arabisë ka 2, 5 milion katolikë,
me 90 kombësi, kryesisht aziatike, ardhur sidomos nga Filipinet, India, Sri Lanka,
Bangadeshi e Pakistani.