2013-06-14 15:40:25

Papa primatit anglikan Uellbi: impenjim i përbashkët për paqen e të varfërit, jetën e familjen.


Mbrojtja e jetës dhe e familjes, bazuar mbi martesën, impenjimi për më shumë drejtësi shoqërore, për t’i dhënë zë britmës së të varfërve e për zgjidhjen e konflikteve, duke nisur nga kriza siriane. Këto fusha bashkëpunimi ndërmjet Kishës katolike e Kishës anglikane u vunë në dukje sot paradite nga Papa Françesku, gjatë audiencës me kryeipeshkvin e Kanterburit, primat i Bashkimit anglikan, Xhastin Uellbi, për vizitë në Vatikan me bashkëshorten e grupin shoqërues. Impenjimi për kërkimin e bashkimit të të krishterëve nuk është fryt i përpjekjeve të natyrës praktike, tha Papa, por i vetë vullnetit të Zotit tonë, Jezu Krishtit. Pas bisedës private dhe shkëmbimit të dhuratave, u kremtua një lutje e përbashkët në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit.

Ishte takim vërtet vëllazëror, në gjurmët e vizitës historike të kryeipeshkvit Majkëll Ramsei, në vitin 1966, pritur nga Pali VI. Papa Françesku bëri të vetat fjalët e paraardhësit, duke e pritur kryeipeshkvin Uellbi “jo si mysafir e i huaj, por si bashkëqytetar i familjes së madhe të Hyjit”. Primati anglikan, nga ana e tij, pohoi se ndjehej si në shtëpi të vet. Është hera e parë që takohen Papa Françesku e Primati Uellbi, të dy në fillim të misionit të tyre, nisur marsin e kaluar. Ati i Shenjtë e falënderoi Uellbin për kujtimin në lutje gjatë kremtimit të marrjes në dorëzim të katedrales së Kanterburit:
Pasi i nisëm misionet përkatëse me pak ditë diferencë, kemi gjithnjë arsye të veçantë ta mbështesim njëri-tjetrin me lutje”.
E gjatë dhe e ndërlikuar, historia e marrëdhënieve ndërmjet Kishës së Anglisë e asaj të Romës, në të cilën nuk mungojnë edhe çastet e dhimbshme, pohoi Papa, duke kujtuar, në vijim, udhën e afrimit e të vëllazërimit gjatë viteve të fundit dhe rëndësinë e kumtimit të përbashkët të vlerave të krishtera, përballë një shoqërie, që duket sikur po i vë në diskutim disa nga bazat e bashkëjetesës, si shenjtëria e jetës njerëzore e qëndrueshmëria e institutit të familjes, themeluar mbi martesën. Njëlloj, vuri në dukje Papa, edhe impenjimi për më shumë drejtësi shoqërore e për një sistem ekonomik në shërbim të njeriut e të së mirës së përbashkët:
“Ndërmjet detyrave tona, si dëshmitarë të dashurisë së Krishtit, është edhe përpjekja për të bërë të dëgjohet britma e të varfërve, që të mos braktisen në mëshirën e ligjeve të një ekonomie, e cila nganjëherë duket sikur e shikon njeriun vetëm si klient”.
Kur të krishterët jetojnë e punojnë së bashku, në harmoni, shtoi Papa Françesku, mund t’i sjellin botës atë, që dëshiron më shumë: paqen.
Prej këndej, mendimi shkoi tek kriza e vështirë siriane. Papa kujtoi impenjimin e përbashkët të kryeipeshkvit Uellbi dhe të kryeipeshkvit të Uestminsterit, imzot Nikols, i pranishëm në audiencë, për t’i nxitur autoritetet që të gjejnë sa më shpejt një rrugë paqësore në zgjidhjen e konfliktit. Papa kërkoi:
“Të gjindet një rrugëzgjidhje paqësore për konfliktin sirian, që garanton edhe sigurinë e mbarë popullsisë, duke përfshirë pakicat, ndërmjet të cilave, bashkësitë e lashta kristiane vendase”.
Edhe kryeipeshkvi anglikan Uellbi foli për vuajtjet, që pësojnë të krishterët e viseve të ndryshme të botës, nën zgjedhën e krizave të të gjitha natyrave:
Ndërsa ne flasim, vëllezërit e motrat tona në Krishtin vuajnë tmerrësisht nga përdhuna, shtypja, lufta, pasoja të qeverisjes së keqe dhe të sistemeve ekonomike të padrejta. Nëse ne nuk do të jemi avokatët e tyre, në emër të Krishtit, e kush do të jetë?”.
Pa i fshehur ndryshimet ndërmjet anglikanëve e katolikëve, primati anglikan shtoi, duke cituar Benediktin XVI, se caku është aq i madh, sa e përligj plotësisht lodhjen e udhës.
Papa Françesku, në përfundim, e vlerësoi lart përpjekjen e Kishës së Anglisë për t’i kuptuar arsyet, që e shtynë Papën e Nderit t’i pranojë grupet e anglikanëve, të cilët kërkuan të kalojnë në Kishën katolike:
Jam i sigurt se kjo do të na krijojë mundësinë të njihemi më mirë e t’i vlerësojmë, në botën katolike, traditat shpirtërore, liturgjike e baritore, që përbëjnë trashëgiminë anglikane”.







All the contents on this site are copyrighted ©.