Dashuria është pikë referimi e Hyjit në njeriun! Ja përsëri në takimin tonë
javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku
leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit
të tretë sipas kalendarit liturgjik. Liturgjia Hyjnore e dielës së 11-të gjatë
vitit kishtar, përmes Fjalës së Zotit, na thërret të reflektojmë mbi përdëllimin e
Hyjit. Zoti i dëfton njeriut dashurinë e vet me mëshirë e falje. Tema kryesore e leximeve
biblike të kësaj së diele është falja. Në të vërtetë, mëshira hyjnore është konstante
në të gjitha kremtimet liturgjike, ku populli Zotit takohet me Hyjin e vet e nga Ai
merr gjithçka e çdo të mirë. Në këtë të diele vijojmë me leximin e ungjillit të Lukës,
duke dëgjuar një pjesë e cila na flet e zbulon mëshirën, përdëllimin e Hyjit. Pikërisht
duke na kujtuar këtë perspektivë, Kisha sot, na thërret të reflektojmë mbi mëshirën
e Zotit, duke na vënë para dy figura mëkatarësh të penduar: Davidin dhe një mëkatare
publike. Dashuria e Hyjit, që shfaqet në falje të pambarim, në Jezu Krishtin mishërohet
e dëshmohet në faljen që na shpëton nga mëkatet dhe na përfshinë e bashkon në përqafimin
e Atit Qiellor. Njeriu, që pendohet e rrëfen me sinqeritet mëkatin e vet para Hyjit,
fiton dhe përjeton përdëllimin e Tij Hyjnore të pa masë. E mirë pra, të pajtuar
e të bashkuar me Hyjit Atë me dhe në flijim të Krishtit, ta falënderojmë Hyjin e Gjithëpushtetshëm
që na shëlbon e të përgatitemi për kremtimin e takimin tonë me Të në Liturgji Hyjnore
duke falur njëri-tjetrin anasjelltas, ashtu sikur Ai na falur e vazhdimisht na falë.
Të mos harrojmë se falja e pajtimi, në Bibël, nuk janë thjesht fshirje me shpuzë të
mangësive, të mëkateve e gabimeve tona ndaj Zotit e të afërmit që kemi bërë në të
kaluarën. Po është diçka shumë më tepër se të rivendosësh një kontakt të ri, dmth.
të jesh bir e bijë e rilindur e Zotit, pjesëmarrës e pjesëtar i Jetës Hyjnore. Falja
e pajtimi janë akte, janë vepra ri-krijuese, ri-lindëse. Me fjalë tjera, në zemra
ime përforcohet e ripërtërihen jo nga jashtë por në brendësi të thellë nga përdëllimi
i Hyjit. Përndryshe gjesti i faljes së “krijuesit” do të reduktohej e përkufizohej
thjeshtë në një gjest të edukimit të mirë. Po Krishti na mëson se përdëllimi (mëshira)
e Hyjit nuk është edukim por dashuri që dhuron jetën, atë jetë që nuk ka mbarim e
që gurrën e ka vetëm e vetëm në Hyjit Atë.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 2 Sam 12, 7-10. 13
Davidi
ka bërë një mëkat të madh, por profeti Natan shpall se Hyji nuk mendon për ndëshkim
dhe ritet e pastrimit nuk kanë vlerë. Nuk janë ndëshkimet apo ritet e larjes që ndreqin
të keqen e kryer, por marrëdhëniet personale të njeriut me Hyjin dhe vëllezërit. Pas
mëkatit njeriu që kthehet, mund të rizbulojë një marrëdhënie më të thellë me Hyjin.
Lexim
prej Librit të dytë të Samuelit
Natani i tha Davidit: “Ti je ai njeri!
Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Unë të shugurova mbret përmbi Izraelin. Unë të
shpëtova prej dorës së Saulit. Në dorën tënde e lëshova familjen e zotërisë tënd edhe
gratë e zotërisë tënd i lëshova në gjirin tënd, në dorën tënde, e lëshova edhe mbarë
Izraelin dhe Judën e, nëse këto janë pak, unë do të të shtoj shumë më tepër. Pse
atëherë e përbuze fjalën e Zotit duke vepruar çka është e keqe para syve të tij? Ti
e preve me shpatë Uri Heteun e ia more gruan e tij. Ti atë e vrave me shpatën e bijve
të Amonit! Për këtë arsye askurrë nuk do të hiqet shpata prej familjes sate, pasi
më përbuze mua dhe e more gruan e Uri Heteut për të qenë gruaja jote.” Atëherë Davidi
i tha Natanit: “Kam mëkatuar kundër Zotit!” E Natani i tha Davidit: “Prej anës
së vet Zoti ta ka falur këtë mëkat; s’do të vdesësh. Fjala e Zotit.
Psalmi
32
Ma e jep, o Zot, faljen tënde! ----- ----- ----- Lum ai
që iu fal mëkati, që iu mbulua faji! Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër
mëkatarë, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi. ----- ----- ----- Atëherë
ta dëftova mëkatin tim, fajin tim më nuk e fsheha. Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit
fajin tim,” e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim. ----- ----- ----- Ti je
strehimi im, ti më ruan prej vështirësisë, do të më rrethosh me këngë gëzimi. -----
----- ----- Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë, brohoritni të gjithë ju
që jeni zemërpastër. ----- ----- -----
Leximi i dytë Gal 2, 16.
19-21
Pali për herë të parë këndon vdekjen e Krishtit në vetvete.
Për Palin kryqi bëhet mënyra për të kryqëzuar ligjin, për të shkatërruar në ne hipokrizinë
e bindjes së jashtme ndaj ligjit. Kryqi na bën të aftë për të jetuar
dhuratën falas të Hyjit në lirinë e vërtetë.
Lexim prej Letrës së
shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, e dimë se njeriu nuk shfajësohet
në saje të veprave të ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj
ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga
veprat e ligjit, sepse askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë me anë të veprave
të ligjit. Sepse, me anë të ligjit, vdiqa për ligjin që të jetoj për Hyjin; u
kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë
që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi
vetveten për mua. Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi
po u fitoka me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot. Fjala e Zotit.
ALELUJA,
aleluja. Hape, o Zot, zemrën tonë, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd. Aleluja
Ì
Ungjilli Lk 7, 36 – 8, 3
Për njerëzit të hash në të njëjtën
tavolinë do të thotë të takohesh, të kesh një dialog, të mësosh të njihesh, të vendosësh
bazat për një miqësi që zgjat, duke iu dhuruar njëri-tjetrit. Por,
në drekën në të cilën merr pjesë Jezusi, të ftuarit, i flasin me urrejtje në zemër.
Hyn në sallë një prostitutë që ndez situatën: të pranishmit gjykojnë keq jo vetëm
Jezusin, por edhe gruan, sepse janë të mbyllur në hipokrizinë e tyre. Por
Jezusi e mikpret dhe pranon prej saj gjeste dashurie.
Leximi i Ungjillit
të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, një farise e grishi Jezusin për bukë.
Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. Kur, ja, hyri menjëherë një grua
që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë,
në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, zuri vend pas tij, te këmbët
e tija, dhe, duke qarë, filloi me lot t’ia lajë këmbët, t’ia fshijë me flokë, t’ia
puthë e t’ia lyejë me parfum. Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi
me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që
po e përket: se është mëkatare.” Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Simon, dua diçka
të të them.” “Fol, Mësues!” – iu përgjigj ai. “Një huadhënës – vazhdoi Jezusi – kishte
dy detyrës. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë dinarë. Pasi nuk kishin me
çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta duajë më fort?” Simoni iu
përgjigj: “Mendoj ai, të cilit i fali më shumë.” “Mirë pleqërove!” – i tha Jezusi.
Dhe, si u suall kah gruaja, i tha Simonit: “A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë
tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët
e me flokët e kresë m’i fshiu. Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi,
qysh se hyri, nuk pushon të m’i puthë këmbët. Ti nuk ma leve kryet me vaj. Kjo, përkundrazi,
me parfum m’i leu këmbët e mia. Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse
tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.” Atëherë
i tha gruas: “Të janë falur mëkatet!” Ata që ishin në tryezë me të, filluan të
mendojnë në vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!” Por ai i tha gruas: “Feja
jote të shpëtoi. Shko në paqe!” Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar
e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të dymbëdhjetët dhe disa
gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë,
prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit,
Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta i ndihmonin Jezusit e nxënësve. Fjala
e Zotit. Programin e plot kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj
së diele, mund ta dëgjoni edhe këtu.........