Ndeshje në Stamboll. Sot takimi ndërmjet manifestuesve e kryeministrit turk
Nuk ndalet dhuna në sheshin Taksim, në qendër të Stambollit, pasi kryeministri
turk Rexhep Tajip Erdoan vendosi të ndërhyjë me forcë kundër qindra mijëra protestuesve,
që kërkojnë dorëheqjen e tij. Tetë orë guerrilje, me policinë e manifestuesit, që
krijuan dy blloqe kompakte. Së fundi, sheshin e mori në dorë ushtria, ndërsa protestuesit
u grumbulluan në parkun fqinjë Gezi, ku qeveria do të shkulë pemët, për të ndërtuar
një qendër tregtare. Kujtojmë se kjo qe arsyeja, ose preteksti, për fillimin e manifestimeve.
Që dje, SHBA-të kërkuan respektimin e lirisë së shprehjes, e sot, zërit të Shtëpisë
së Bardhë iu shtua edhe ai i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun. Turqia
po luan me fatet e saj, duke vënë në diskutim atë besueshmëri, që e ka ndërtuar
me vështirësi e probleme të mëdha gjatë viteve, përmes një veprimtarie të ndërlikuar
diplomatike. E nuk dihet sa do të vlejë takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit turk
Erdoan dhe një grupi artistësh, akademikësh e studentësh nga sheshi. Që sot, “Platforma
Taksim”, që mbledh 116 lëvizje, deklaroi se ata nuk janë delegatët e saj e s’kanë
të bëjnë aspak me protestat. Manifestuesit e vërtetë nuk janë thirrur nga qeveria.
Komenti i gazetarit turk, Dundar Kesapli: Kryeministri Erdoan, sigurisht, ka
bërë shumë gjëra të rëndësishme për Turqinë dhe popullsinë e saj, por nuk mund të
thuhet së është i përsosur. Në asnjë vend të botës nuk mund të pretendohet se institucionet
e qeveria janë të përsosura. Pa dyshim, mungon diçka. Sidomos, ndërhyrja e policisë
turke qe e rëndë. E këtë duhet ta nënvizojmë fort. Gabuan rëndë e kush gabon, pagon.
Realiteti turk, fatkeqësisht, është tashmë konfliktual e atmosfera, që përjetohet
në vend, nuk është aspak e qetë.