2013-06-12 18:49:33

Kryesia e Clar shpreh keqardhjen për botimin e përmbledhjes së bisedimit me Papën


“Takimi i Atit të Shenjtë me anëtarët e kryesisë së Clar (Konferenca latinoamerikane e rregulltarëve) ishte me karakter privat. Nuk kam, prandaj, asnjë deklaratë për të bërë lidhur me përmbajtjen e bisedimit”. Këtë pohon, në një njoftim gojor, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, lidhur me botimin, në një kanal kilian interneti, të tekstit të bisedës së Papës me disa anëtarë të Clar, më 6 qershor, në Vatikan.
Ndërkaq, kryesia e Clar ankohet thellësisht për botimin e tekstit, duke shtuar se biseda u bë pas pyetjeve të Papës drejtuar rregulltarëve të pranishëm. Prej këndej, nuk pati asnjë lloj regjistrimi të saj, por pak më vonë u hartua një përmbledhje, sipas kujtimeve të pjesëmarrësve. E kjo përmbledhje nuk i përfshin pyetjet e Atit të Shenjtë, vihet në dukje, sepse u shkrua vetëm për t’u ruajtur si kujtim për pjesëmarrësit e, në asnjë mënyrë, për botim. Është e qartë, prandaj, se nuk mund të cilësohen si të Atit të Shenjtë disa shprehje, që përmban teksti, në të cilin biseda përshkruhet në përgjithësi. Kryesia e Clar, përfundon nota, shpreh keqardhjen e thellë për këtë ngjarje dhe për pështjellimin, që mundi të shkaktojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.