Katërmbëdhjetë vjet nga zbarkimi i NATO-s në Kosovë
Bota vazhdon të ketë në mendje imazhet e shumë qytetarëve kosovarë që u uronin mirëseardhje
ushtarëve të KFOR-it. Me lot gëzimi në sy, me brohoritma “NATO, NATO”... I konsideronin
shpëtimtarë të tyre. Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat
e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe. Që atëherë,
kjo datë kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb. Fillimisht numëronin
50,000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të NATO-s dhe vendeve aleate.
Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë
zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe
italian. Hyrjes së tij i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet zyrtarëve
serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik,
Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat
e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Ajo është arritur vetëm pas fushatës së
bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si
dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Si
pasojë e saj, mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe
mbi 1 milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive. Me
hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës
së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar
kohore. Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës,
për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar
të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës. Sot, katërmbëdhjetë
vjet pas zbarkimit, janë rreth 5,600 trupa të NATO-s që vazhdojnë të kontribuojnë
në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar
vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë. Gati nëntë vjet pas
zbarkimit të NATO-s, përkatësisht më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë
nga Serbia, me gjithë kundërshtimet e fuqishme të Beogradit. Shteti i ri është
njohur nga rreth 100 vende dhe është i angazhuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim
në strukturat euro-atlantike. Për këtë qëllim, së fundmi, ka nënshkruar edhe marrëveshje
me Serbinë për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve. Dita e Lirisë së Kosovës,
së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesë në histori.
Sipas shumë vlerësimeve, 12 qershori është dita e rreshtimit të botës demokratike
përkrah popullit të shtypur të Kosovës. Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka
riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit
të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe.