Delegacioni evropian mbi gjendjen parazgjedhore në Shqipëri
Në Shqipëri misioni i Këshillit të Evropës, i cili përfundoi një vizitë dy ditore
në Tiranë objektivi i së cilës ishte vlerësimi i situatës në prag të zgjedhjeve të
23 qershorit, tha se ato mund të rrezikoheshin për shkak të situatës në Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve. Ata u shprehën se gjatë takimeve në Tiranë kanë marrë shqetësime
për trysninë e ushtruar ndaj punonjësve të administratës publike, për tentativa për
blerje të votës si dhe detyrimin e mediave për të transmetuar materialet filmike të
përgatitura nga partitë për fushatat e tyre zgjedhore. Çështja e Komisionit Qendror
të Zgjedhjeve vazhdon të mbetet kryefjala e të gjithë përfaqësuesve të komunitetit
ndërkombëtar, aq më tepër kur numërimi mbrapsht deri ditën e votimit ka filluar. Javën
e shkuar ishte misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it të cilët theksuan
se funksionimi i Komisionit vetëm me katër anëtarë “pengon aftësinë e tij për të administruar
zgjedhjet në përputhje me ligjin”. Mbrëmë shqetësimit për pasojat e krizës në KQZ
iu bashkua edhe misioni i parlamentarëve të Këshillit të Evropës i kryesuar nga italiani
Luka Volonte, sipas të cilit delegacioni “shpreh keqardhjen e tij që kriza e KQZ-së
nuk është zgjidhur akoma. Për aq kohë sa KQZ-ja konsiderohet si e paplotë, atëherë
realizimi demokratik i zgjedhjeve mund të rrezikohet”. I së njëjtës ide ishte dhe
anëtari i delegacionit, deputeti grek Petros Cacopulos: "Siç e kemi thënë edhe më
parë, KQZ-ja është një problem shumë serioz. Mund të transformohet në një rrezik,
me të vërtetë një rrezik pasi KQZ-ja është aktori kryesor për rezultatin e këtyre
zgjedhjeve”. Cacopulos tha se çështja e KQZ nuk mund të kthehet në një peng. Sipas
tij “një Shqipëri demokratike e cila dëshmon veten si një vend me pjekuri të qenësishme,
është një vend ku nuk mund të mendohet se politikanët mund të bëjnë lojëra kur vjen
puna për rezultatin e zgjedhjeve. Veçanërisht kur rezultati është i ngushtë. Politikanët
tuaj e kanë marrë atë mesazh dhe nëse bëjnë të tilla lojëra do të rrezikojnë. E di
që ka ndodhur në të shkuarën, por nuk dua të fajësoj asnjë apo t’i faturoj ndonjërit
përgjegjësitë”, tha anëtari i asamblesë së Këshillit të Europës duke shtuar se kryeministri
Berisha kishte garantuar se do të njihte rezultatin e zgjedhjeve cilido qoftë ai,
ndërsa përfaqësuesit e opozitës nuk e kishin bërë një gjë të tillë, u shpreh zoti
Tzatsopoulos. Përfaqësuesit e Këshillit të Europës thanë se gjatë takimeve të shumta
në dy ditët e vizitës në Tiranë atyre u ishin shprehur “shqetësime lidhur me disa
pretendime për presion të ushtruar ndaj punonjësve të sektorit publik, për tentativat
e shtuara për blerjen e votës, mosrespektimin e kuotave gjinore apo transparencën
e ulët të financimit të partive. Po ashtu detyrimi për të transmetuar përmbledhje
të fushatave zgjedhore të përgatitura nga palët që nuk i nënshtrohen redaktimit editorial
shihet nga gazetarët si një kufizim i lirisë së shprehjes” tha zoti Volonte. Kreu
i delegacionit të Këshillit u shpreh se “Shqipërisë i nevojiten zgjedhjet e 23 qershorit
për të plotësuar angazhimet e Këshillit të Europës, standartet e tij dhe njëkohësisht
për të konfirmuar angazhimin real të Shqipërisë për demokracinë, shtetin e së drejtës
dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OKB-në
e Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, përgëzoi organizatën për shtyrjen me tetë
vjet, të afatit për plotësimin e disa detyrimeve për prodhimet farmaceutike. Fjala
është për pronësinë intelektuale mbi formulën e tyre, e cila mbrohet me ligj. Shpesh,
nga ana e vendeve të pasura, formula mbahet sekret, ose vendosen kufi në përdorimin
e saj nga ana e vendeve të varfra, duke mos u dhënë atyre mundësi të kurojnë të sëmurët
e tyre. Çështja është veçanërisht e rëndësishme për sëmundje si Sida. Ilaçet kundër
virusit Hiv kushtojnë, sepse monopoli i formulës së tyre mbahet nga shtëpi farmaceutike
në vendet e pasura, të cilat kanë regjistruar formulën dhe nuk lejojnë përdorimin
e saj, pa lejen e tyre, domethënë pa shuma të majme të hollash. Edhe vendet e
varfra duhet t’i përshtaten sistemit të së drejtës së autorit, por, siç theksoi imzot
Tomazi, kjo nuk duhet të bëhet në dëm të përmasës humanitare dhe etike.