Të premten e ardhshme, takimi i Papës Françesku me primatin anglikan Uellbi
Takim, për t’u njohur personalisht e për t’u lutur për herë të parë së bashku. Do
të kalojë kështu audienca e Papës Françesku me kryeipeshkvin e Kanterburit, Xhastin
Uellbi, primat i Kishës anglikane, të premten e ardhshme. Në një komunikatë të Këshillit
Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, saktësohet se kreu i Bashkësisë anglikane do
të vizitojë varrin e Shën Pjetrit poshtë Bazilikës e, duke plotësuar një dëshirë të
tij të veçantë, do të ndalohet për t’u lutur edhe pranë varrit të të Lumit Gjon Pali
II. Folëm, për këtë ngjarje, me imzot Mark Langam, i ngarkuar i posaçëm i dikasterit
vatikanas për marrëdhëniet me anglikanët: Përgjigje: - Do të jetë,
për ta, posaçërisht çast takimi, gjatë të cilit do të mund të përfitojnë për t’u njohur
pak më mirë. Do të jetë, pra, çast për shkëmbimin e informacioneve, për njohjen e
programeve të tyre, për takimin, si njerëz të Zotit e prijës, që të dy, të të krishterëve
në botë. Do të jetë, mendoj, çasti i parë i njohjes...
Pyetje: -
Paraardhësit e tyre, Papa Benedikti dhe kryeipeshkvi Rouan Uiljams, ishin dy intelektualë
të mëdhenj, dy teologë të shquar. Ndërsa dy prijësit, që do të takohen të premten,
Papa Françesku e kryeipeshkvi Uellbi, të krijojnë përshtypjen e njerëzve, që përqendrohen,
ndoshta, më shumë mbi aspektin praktik, janë njerëz të Kishës në mes të njerëzve.....
Përgjigje:
- Po, vërtet. Më prek mendimi që, si kryeipeshkvi anglikan, ashtu edhe
Ati i Shenjtë, kanë këtë kujdes të madh ndaj të varfërve, të braktisurve, ndaj të
gjithë atyre, që kanë nevojë për ndihmën e Kishës. Për ta, misioni i Kishës është
kryesisht të shkojë në skutat e jetës, atje ku banojnë të varfërit, për t’ua ndryshuar
jetën. Për ta, feja nuk është gjë thjesht private, por forcë, që duhet t’ia ndryshojë
faqen botës, duhet ta ndryshojë krejt shoqërinë. Kryeipeshkvi Uellbi ka përvojë të
thellë lidhur me botën ekonomike: ai punon në Londër, në sistemin bankar. E prej këndej,
interesi i tij përqendrohet kryesisht tek drejtësia në botën e financës. Prandaj mendoj
se do të kenë tema të mëdha për të prekur e argumente të rëndësishme, për të diskutuar
së bashku.
Pyetje: - Një pyetje, në plan ngushtësisht teologjik:
ju sapo u kthyet nga sesioni i fundit i Arcic(TheAnglican-Roman Catholic
International Commission) që u mbajt në Brazil. Ç’mund të presim, në këtë plan: a
ka pika ku mund të ketë progres të shpejtë? Përgjigje: - Nuk do
të ketë zhvillime ose të papritura të shpejta, sipas mendimit tim. Është një çast
reflektimi, thellimi në dialogun tonë. Mendojmë se kemi shumë gjëra të përbashkëta:
historinë, traditën, bazën teologjike. Por, në një farë çasti, vërehet edhe ndryshimi.
Ndryshon mënyra si i përdorim këto themele të përbashkëta, Shkrimin Shenjt, traditën
e përbashkët... Prandaj them se duhet të bëjmë pyetje pikërisht për mënyrën si i përdorim,
si e lexojmë Shkrimin Shenjt, me ç’sy e shikojmë traditën e përbashkët. Pra, diskutohet
për mekanizmat, mbi bazën e të cilave marrim edhe vendime të caktuara e për drejtimet,
në të cilat ndryshojnë.