2013-06-11 15:36:37

Përfundon nesër udhëtimi i kardinali Koch në Ukrainë në shenjë të ekumenizmit


Presidenti i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, kardinali Kurt Koch, gjatë udhëtimit tetë ditor në Ukrainë, që përfundon nesër, ka përshkuar qytete të ndryshme, ka vizituar bashkësitë Kishtare të vendit dhe është takuar me disa përfaqësues të Kishave, si ato ortodokse e po kështu edhe ato latine, ato të ritit greko-ortodoks e ato të ritit greko-katolik. Në pragun e përfundimit të udhëtimit të tij, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kardinali shpjegon arsyet e kësaj vizite në Ukrainë.
“Në rend të parë, jam përgjegjës për ekumenizmin e kërkimin e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Ukraina është një Vend shumëfetar: ka shumë Kisha ortodokse, greko-katolike, latine, armene. Për mua është më rëndësi t’i shoh këto realitete, këto situata e të shikoj se si mund të thellohen e të përforcohen marrëdhëniet e mira. Kjo ide më duket shumë e mirë, sepse është edhe një përkujtim i madh i vizitës së Atit të Shenjtë Gjon Palit II, në Ukrainë në vitin 2001. Të mos e harrosh këtë ngjarje e ta thellosh këtë përkujtim, personalisht më duket një ide jashtëzakonisht e bukur”.
Gjatë këtij shtegtimi, kardinali Koch shprehu besimin se Ukraina, me histori, kulturë dhe institucione thellësisht të frymëzuara nga Ungjilli, do t’ua transmetojë edhe kombeve të tjera gjallërinë e identitetit të saj, pa harruar t’i ruajë karakteristikat e origjinës.
Presidenti i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, shprehu më pas kënaqësinë e tij se Kishat kujdesen për dialog të përhershëm ndërmjet dy traditave kishtare, lindore e perëndimore; kujtoi dëshirën për të vijuar rrugën drejt bashkimit me vëllezërit ortodoksë dhe të konfesioneve të tjera të krishtera dhe i nxiti të tregohen gjithnjë të gatshëm për forcimin e dialogut ekumenik, në mënyrë që të kapërcehen vështirësitë e të bëhet realitet bashkimi i shumëpritur, që do t’i japë botës një dëshmi më të vërtetë të Lajmit të Mirë – Ungjillit. Nga ana tjetër kardinali Koch siguroi se katolikët do të vijojnë t’i shërbejnë gjithnjë të mirës së përbashkët, sidomos në fushën e arsimit e të edukimit të rinisë me parimet e etikës së krishterë e prej këndej, me frymën e mbrojtjes së dinjitetit themelor të njeriut, që është i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.