2013-06-11 16:44:10

Delegacioni i BE-së Shqipërisë: të shmanget dhuna në procesin zgjedhor.


Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë sot për mediat, në marrëveshje me krerët e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, nënvizon se po e ndjekin nga afër procesin zgjedhor në Shqipëri. "Ndër standardet evropiane e ndërkombëtare që presim të zbatohen, një ndër më të rëndësishmit është shmangia e dhunës, në përputhje me pritjet e qytetarëve që zgjedhjet të zhvillohen në një mjedis të qetë dhe paqësor", thuhet në këtë mesazh.
Pjesë e mesazhit është edhe thirrja drejtuar të gjithë shqiptarëve të sillen sipas këtij standardi, ndërkohë që deklarojnë se "po presim që partitë politike t'u japin udhëzime të rrepta anëtarëve dhe mbështetësve të tyre në lidhje me këtë”.
Ndërkaq sot në Shqipëri, në mbledhjen e radhës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi shqyrtimin e disa p/vendimeve në kuadër të organizimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Rendi i ditës i mbledhjes së sotme parashikon ndër të tjera miratimin e dokumentacionit dhe kutisë së posaçme që do të përdoret për numërimin e votave të hedhura gabim për zgjedhjet e reja parlamentare; miratimin e modeleve të dokumenteve që do të përdoren nga grupi i numërimit dhe KZAZ-së për nxjerrjen e rezultateve; si dhe miratimin e vëzhguesve të disa organizatave të shoqërisë civile, etj.
Po ashtu, KQZ pritet të miratojë sot dhe regjistrimin e koalicionit të majtë "Aleanca për Shqipërinë Evropiane", si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie e komune, në disa njësi vendore.







All the contents on this site are copyrighted ©.