2013-06-11 14:53:38

Audiomesazh i Papës Françesku të Verbërve: Ju keni dritën që i jep kuptim jetës!


Me rastin e organizimit të pushimeve verore të një grupi prej 75 të verbërish, kyresisht te msoshuar, nga ana e Bashkimit Italian të të Verbërve në Tirrenia, Papa Françesku u dërgoi pjesëmarrësve, shumica të moshuar, një audiomesazh. Ja teksti i plotë:
“Të dashur miq,
ju përshëndes me përzemërsi. Di që jeni mbledhur në Tirrenia për pushime e se disa prej jush do të kishin dashur të vinin në Romë. Falë teknikës moderne, mund të vij unë tek ju! Ju falenderoj për vlerësimin, për dashurinë e sidomos për lutjet tuaja për mua.
Ungjilli na thotë se Jezusi ka pasur kujdes të veçantë për të verbërit. Shëroi mjaft prej tyre, së bashku me të sëmurë të tjerë. Por shërimi i një njeriu, që i mungon drita e syve, ka domethënie të veçantë simbolike: përfaqëson dhuratën e fesë. E është shenjë për të gjithë, sepse të gjithë kemi nevojë për dritën e fesë që të ecim në udhët e jetës. Prandaj, Pagëzimi, që është Sakramenti i parë i fesë, në lashtësi quhej edhe “shndritja”.
I lutem Zotit ta risojë dhuratën e fesë në secilin prej jush, që shpirti juaj të shndritet gjithnjë nga drita e Zotit, drita e dashurisë, që i jep kuptim jetës, na ndriçon, na jep shpresë, na bën të jemi të mirë e të gatshëm për të ndihmuar vëllezërit tanë.
I uroj gjithë të mirat shoqatës suaj, Bashkimit Italian të të Verbërve. Përhapni gjithnjë kulturën e takimit, të solidaritetit, të mikpritjes për njerëzit me të meta fizike, jo vetëm duke kërkuar asistencën e ligjshme, por duke favorizuar pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën e shoqërisë.
Ju besoj të gjithëve mbrojtjes së shën Marisë, Nënës sonë. Ju kërkoj të luteni për mua e për shërbimin tim në Kishë e, ju bekoj me gjithë zemër, juve e të dashurit tuaj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.