2013-06-10 15:16:03

Papa: Lumnitë nuk janë listë e thjeshtë; për t’i kuptuar, duhet t’ia hapim zemrën Zotit


Liria e vërtetë lind, kur ia hapim zemrën Zotit: këtë nënvizoi Papa Françesku në Meshën, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë pohoi se shëlbim do të thotë të jetosh në frymën e ngushëllimit të Shpirtit Shenjt, jo të ngushëllimit të botës. Në Meshë, bashkëkremtuar nga kardinali Stanislao Rilko, imzot Jozef Klemens dhe imzot George Valiamatam, kryeipeshkëv indian i Telikerrit, mori pjesë edhe një grup meshtarësh e bashkëpunëtorësh të Këshillit Papnor për Laikët.

Ç’do të thotë ngushëllim për të krishterin? Papa Françesku e nisi homelinë duke vërejtur se Shën Pali, në fillim të Letrës drejtuar Korintianëve, e përdor shumë herë fjalën ngushëllim. Apostulli i Popujve, shtoi Papa, u flet të krishterëve rishtarë në fe, njerëzve që sapo e kanë nisur rrugën e Jezusit. E ngulmon pikërisht mbi këtë, edhe pse nuk ishin të gjithë të persekutuar. Ishin njerëz normalë, por kishin gjetur Jezusin. Pikërisht kjo gjetje, pohoi Papa, është një ndryshim aq i madh i rrugës së jetës, sa të ndjehet fort nevoja për një forcë të veçantë, që vjen nga Zoti. E kjo forcë është ngushëllimi. Ngushëllimi, vijoi Ati i Shenjtë, është prania e Zotit në zemrën tonë. Por, vërejti, që Zoti të hyjë në zemrën tonë, duhet t’ia hapim portën, duhet të pendohemi:
“Ky është shëlbimi: të jetosh në frymën e ngushëllimit të Shpirtit Shenjt, jo në ngushëllimin e shpirtit të botës. Jo, ky nuk është shëlbim, është mëkat. Shëlbim do të thotë të ecësh përpara e ta hapësh zemrën e të vijë ngushëllimi i Shpirtit Shenjt, që është shëlbimi. Po a nuk mund t’i ngatërrosh, pak këtu e pak atje? Të bësh pakëz maqedonia, të themi, apo jo? Pak me Shpirtin Shenjt e pak edhe me shpirtin e botës... Jo! Të dyja, jo! O njërën, o tjetrën!”.
Zoti, vijoi, e thotë qartë: nuk mund t’u shërbesh dy zotërinjve; o i shërben Zotit, ose shpirtit të botës. Nuk mund t’i ngatërrosh. Kur ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, mund ta kuptojmë ligjin e ri, që sjell Zoti, Lumnitë, për të cilat flet Ungjilli i sotëm. Këto Lumni, shtoi Papa, kuptohen vetëm me zemër të hapur, kuptohen vetëm me ngushëllimin e Shpirtit Shenjt, jo vetëm me mendjen njerëzore:
“Janë urdhërime të reja. Por nëse nuk ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, duken marrëzi. ‘Shiko, shiko, u dashka të jesh i varfër, i përvuajtur, i mëshirshëm! Por më duket se kështu është tepër e vështirë të kesh shumë sukses’. Nëse nuk e kemi zemrën të hapur, nëse nuk e kemi shijuar ngushëllimin e Shpirtit Shenjt, që është shëlbimi, këto gjëra nuk mund të kuptohen. Ky është ligji për ata, që u shëlbuan e ia hapën zemrën shëlbimit. Ky është ligji i njerëzve të lirë, me lirinë e Shpirtit Shenjt në shpirt”.
Njeriu, vijoi Papa Françesku, mund ta rregullojë jetën e vet, ta sistemojë sipas një liste urdhërimesh a ecurish, një liste thjesht njerëzore. Po kjo, në fund të fundit, nuk na çon tek shëlbimi. Vetëm zemra e hapur na çon tek Shëlbimi. Kujtoi, më pas, se në zanafillë të krishterimit, shumë interesosheshin për ta shqyrtuar doktrinën e re, e pastaj edhe për t’u grindur me Jezusin. E kjo ndodhte sepse e kishin zemrën e hapur vetëm për gjërat e tyre, gjëra, që Zoti donte t’i ndërronte. E pse, vallë, pyeti Papa, ka njerëz që ia mbyllin zemrën shëlbimit? Sepse, u përgjigj, kemi frikë nga shëlbimi. Kemi nevojë, por edhe frikë, nga që, kur vjen Zoti të na shëlbojë, duhet t’i japim gjithçka. Është urdhëri i Tij! E nga kjo kemi frikë, sepse duam të komandojmë ne. Prandaj, për t’i kuptuar Urdhërimet e reja, kemi nevojë për lirinë, që lind nga Shpirti Shenjt, i cili na shpëton, na ngushëllon, na jep jetë:
“Mund t’ia kërkojmë sot Zotit hirin për ta ndjekur, po me këtë liri. Sepse po të dëshirojmë ta ndjekim vetëm me lirinë tonë njerëzore, në fund do të bëhemi hipokritë, si farizenjtë e saduçenjtë, që grindeshin pambarimisht me Jezusin. Hipokrizi do të thotë të mos e lësh Shpirtin Shenjt të ta ndërrojë zemrën me shëlbimin e Tij. Liria e Shpirtit, që na e jep Shpirti Shenjt, duket edhe ajo si një lloj skllavërie, por skllavëri për Zotin, që na bën të lirë. Është liri tjetër. Ndërsa vetëm liria jonë, është skllavëri e mirëfilltë, sepse jo e Zotit, por e shpirtit të botës. T’i kërkojmë Zoti hirin të na e hapë zemrën tonë për ngushëllimin e Shpirtit Shenjt, që ky ngushëllim, i cili është shëlbim, të na ndihmojë t’i kuptojmë mirë Urdhërimet e Tij. E ashtu qoftë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.