2013-06-10 15:16:12

Mesazh i Papës në përfundim të Kongresit eukaristik në Gjermani: “T’ia çojmë Zotin botës e botën, Zotit!


“Ne të gjithë e kemi për detyrë t’ia çojmë Zotin botës, e botën, Zotit”. Është kjo zemra e mesazhit të Papës, që u lexua dje paradite, para fillimit të Meshës përfundimtare, kremtuar në Këln të Gjermanisë për mbylljen e Kongresit Eukaristik kombëtar, përqendruar tek tema: “Zot, te kush do të shkojmë?”. Në Meshë ishin të pranishëm jo vetëm katolikë gjermanë, por edhe shumë besimtarë nga vendet fqinje. Kremtimin Eukaristik e kryesoi kardinali Paul Jozef Kordes, i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë.
“Zot, te kush do të shkojmë?”, pyet Shën Pjetri Apostull, zëdhënës i ndjekësve të Jezusit, përballë dëgjuesve të Zotit që, pa e kuptuar, donin të përfitonin prej Tij. Këtë pyetje, shkruan Papa në mesazh, ia bëjmë vetes edhe ne, anëtarët e Kishës së sotme e, edhe pse në gojën tonë nuk e ka atë forcë, që kishte në gojën e Apostullit, përgjigjja është e njëjtë. Tek kush do të shkojmë, përveçse tek Jezusi, që jetoi dymijë vjet më parë e, megjithatë, mund ta takojmë edhe në kohën tonë, kur dëgjojmë fjalën e Tij e jemi pranë Tij në mënyrë të pashoqe, në Eukaristi. Prej këndej, porosia e Françeskut që të mos e shikojmë Meshën Shenjte thjesht si zakon të përditshëm. Duhet të mësohemi ta jetojmë Meshën Shenjte. E për këtë, kujton Papa në mesazh, na ndihmon gjunjëzimi në adhurim para Zotit eukaristik në tabernakull e Sakramenti i Pajtimit.
“Zot, te kush do të shkojmë?”. Të njëjtën pyetje vijojnë ta bëjnë akoma, me a pa paramendim, shumë njerëz të kohës sonë, që janë në kërkim të Atit të Jezu Krishtit. Ata, vëren Papa Françesku, Shpërblyesi dëshiron t’i takojë përmes nesh që, për virtyt të Pagëzimit, u bëmë vëllezërit e motrat e Tij e që, në Eukaristi, morëm forcë ta çojmë përpara, së bashku me Të, misionin e shëlbimit. Dëshmia jonë do t’i përflakë, ashtu si u përflakëm ne nga Krishti. Ne të gjithë: ipeshkvij, meshtarë, diakonë, rregulltarë e laikë, e kemi për detyrë t’ia çojmë Zotin botës, e botën, Zotit.
Ta takojmë Krishtin, t’i besojmë Krishtit, ta kumtojmë Krishtin – përfundon mesazhi papnor, këto janë shtyllat e fesë sonë, që përqendrohen gjithnjë në të njëjtën pikë: në Eukaristi.







All the contents on this site are copyrighted ©.