2013-06-07 19:16:42

Selia e Shenjtë: 100 milion refugjatë kërkojnë zgjidhje nga qeveritë e shoqëria civile


“Të shohësh Krishtin në refugjatët e në njerëzit e shpërngulur me forcë”: ky është titulli i dokumentit, që u paraqit javën e kaluar në Sallën e Shtypit të Vatikanit, për t’i bërë të njohura orientimet baritore të Kishës në fushën e emigracionit. Një studim, i hartuar nga Këshilli Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, në bashkëpunim me Këshillin Papnor “Cor Unum”.
Dokumenti jep hartën e emigracionit të detyruar, kërkon zgjidhje urgjente, denoncon politikat e pafrytshme, që bazohen në mbrojtjen e kufijve nga flukset e emigrantëve, duke u futur njerëzve frikën nga të huajt, në vend që të shohin nevojat e problemet e tyre. Fatkeqësisht, siç nënvizoi kreu i dikasterit për emigrantët, kardinali Antonio Maria Veliò, nuk ka statistika të sakta për fenomenin, por vlerësohet se së paku 100 milion vetë janë larguar pa dëshirë nga shtëpitë e tyre. 16 milion janë refugjatë jashtë vendit, 28 milion, të shpërngulurit brenda vendeve të tyre e 15 milion të tjerë janë detyruar të largohen për t’u lënë vendin projekteve për zhvillim, siç mund të jetë ndërtimi i një dige etj.. 12 milion njerëz në botë janë pa asnjë lloj nënshtetësie, pra, pa asnjë të drejtë të garantuar. Ndër tragjeditë më të mëdha, që lidhen me këtë fenomen, trafiku i personave, por jo vetëm ai, siç theksoi kardinali Veliò:
“Trafiku i qenieve njerëzore është një plagë e turpshme, që duhet dënuar me vendosmëri e duhet zhdukur nga shoqëritë, të cilat e quajnë veten të qytetëruara. …Përveç së ashtuquajturës “industri të seksit”, duhet të përmendim së paku punën e detyruar në sektorë të ndryshëm, trafikun për transplantimin e organeve, skllavërimin për t’i shndërruar njerëzit në lypsarë e shfrytëzimin e fëmijëve në konfliktet e armatosura”.
Kreu i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Robert Sarah, ftoi të shihet në çdo emigrant, fytyra e Krishtit:
“Është fytyra e 4 milion të shpërngulurve sirianë, që, përveçse përjetojnë dramën e humbjes së gjithçkaje, ka rrezik të konsiderohen të huaj në vendin e tyre; është fytyra e një milion refugjatëve në vendet fqinje, që vazhdojnë të shtohen e që, gjithnjë e më shpesh, vendosin të përballojnë rrezikun e udhëtimit të shpresës drejt Evropës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.