2013-06-07 17:58:12

Përfundoi, me shpresa të reja, Forumi ndërkombëtar i Hong Kongut


Përfundoi dje, në Hong Kong, Forumi ndërkombëtar, organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave, kushtuar paqes e sigurisë në Azi. U fol sidomos për situtatën koreane dhe për pajtimin e mundshëm, 60 vjet pas armëpushimit.
Bisedime të reja për çarmatosje! Janë këto fjalët kyçe, që karakterizuan diskutimet në Forumin e Hong Kongut, organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave për sigurinë në Azi. U fol posaçërisht për krizën ndërmjet dy Koreve e impenjimin për pajtim. Nisma e Këshillit i hap udhën asamblesë së madhe, organizuar gjithnjë nga Këshilli Botëror i Kishave, që do të mblidhet në Busan, në Korenë e Jugut, nga 30 tetori i ardhshëm, deri më 8 nëntor. Ndërkaq, nga gadishulli arrijnë shenja paqtimi. Koreja e Veriut njoftoi se do të rihapë vijën e kuqe, për komunikime emergjence ndërmjet Veriut e Jugut, mbyllur në mars, për shkak të tensioneve dypalëshe; e u arrit edhe marrëveshja për takimin e rangut të lartë ndërmjet dy vendeve. Do të mbahet më 12 qershor, në Seul. Por, ç’rol mund të ketë bashkësia ekumenike ndërkombëtare për t’i siguruar paqen një vendi të ndarë, si Koreja? Pyetëm ambasadorin e Republikës së Koresë pranë Selisë së Shenjtë, profesorin Thomas Hong-Soon Han:

Përgjigje: - Them se është mbështetje morale nga ana e feve të krishtera. Fetë e krishtera janë gjithnjë në mbështetje të paqes, sepse Krishti është paqja jonë. Pritet kjo mbështetje morale, edhe pse sensibilizon opinionin publik ndërkombëtar. Është fjala për një gjest konkret, që të çojë në çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Pa të, nuk mund të ecet pëpara në procesin për realizimin e paqes në gadishullin korean. Sot gadishulli korean është në qendër të interesimit botëror për paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.