2013-06-07 13:31:28

Papa në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit: ta lëmë Zotin të na pushtojë me dashuri


Ta lësh Zotin të të dojë me gjithë dhembshurinë e tij, nuk është e lehtë: por pikërisht këtë hir duhet t’ia kërkojmë: është porosia e Papës gjatë Meshës së sotme në Kapelën e Shën Martës, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit. Ishte i pranishëm personeli i Arkivit Sekret të Vatikanit. Me Papën bashkëkremtoi arkivisti i Kishës Shenjte Romake, Zhan-Lui Brygè si dhe prefekti, imzot Serxho Pagano.
Jezusi na deshi shumë, jo me fjalë, por me vepra e me gjithë jetën e vet. Papa Françesku e kujtoi këtë disa herë në homelinë e Meshës së sotme, kushtuar Solemnitetit të Zemrës së Krishtit, që ai e quajti “Festa e Dashurisë” së një Zemre, që na deshi aq shumë. Dashuri e cila, siç përsëriste Shën Injaci, shprehet më tepër me vepra, sesa me fjalë e që, sidomos, di më shumë të japë, sesa të marrë. Këto dy kritere, theksoi Papa, janë dy shtyllat e dashurisë së vërtetë. E është Bariu i Mirë, Ai, që e përfaqëson gjithë dashurinë e Hyjit. Ai i njeh delet e veta një për një, sepse, shtoi Papa Françesku, dashuria nuk është abstrakte, as e përgjithshme: është dashuri për secilin:
“Dashuri e një Zoti, që na afrohet për dashuri, ecën me popullin e vet e kjo ecje arrin në një pikë të papërfytyrueshme. Nuk mund të mendohet kurrë që një Zot të bëhet një prej nesh e të ecë përkrah nesh, të rrijë me ne, të rrijë në Kishën e vet, të rrijë në Eukaristi, të rrijë në Fjalën e Tij, të rrijë në të varfërit, pranë e pranë deleve të veta, të cilat i njeh një për një”.
Duke shpjeguar fragmentin nga Libri i Ezekielit Profet, Papa vuri theksin mbi një aspekt tjetër të dashurisë: kujdesin për delen e humbur e për atë të plagosur e të sëmurë:
Dhembshuri! Zoti na do me dhembshuri. Zoti e di mirë shkencën e bukur të përkëdheljeve, të dashurisë. Nuk na do me fjalë. Na afrohet e na e jep këtë dashuri butësisht. Afërsi e dhembshuri! Këto janë dy mënyrat e dashurisë së Zotit, që na vjen pranë e na e jep gjithë ngrohtësinë e tij me gjëra edhe të vogla: me dhembshuri. E kjo është dashuri e fortë, sepse afërsia e dhembshuria na bëjnë ta shikojmë forcën e dashurisë së Zotit”.
“Po ju, a më doni, ashtu si ju desha unë?”. Këtë pyetje bëri Papa Françesku, duke nënviziuar se dashuria duhet t’i shkojë pranë të afërmit, duhet të jetë si ajo e Samaritanit të Mirë e, posaçërisht, duhet të jetë afërsi plot dhembshuri.
Por, si mund t’ia shpërblejmë Zotit gjithë këtë dashuri? Ishte kjo, një pikë tjetër, mbi të cilën u ndalua Papa. Pa dyshim, duke e dashur, duke jetuar pranë Tij, plot ndjeshmëri për Të, por kjo nuk mjafton:
Kjo mund të duket herezi, por është e vërteta më e madhe! Më vështirë se ta duash Zotin, është ta lësh të të dojë! Mënyra për t’i ridhënë shumë dashuri, është t’ia hapësh zemrën e ta lesh të hyjë aty. Ta lësh të të afrohet, ta ndjesh pranë. Ta lësh të jetë i ëmbël me ty, të të përkëdhelë! Kjo është shumë e vështirë: ta lësh të të dojë! E është pikërisht ky hir, që duhet ta lypim në Meshën sotme: ‘Zot, unë dëshiroj të të dua, por ma ma mëso shkencën e vështirë, zakonin e vështirë, të ta hap zemrën, që Ti të më duash, ta ndjej afërsinë tënde e dhembushurinë tënde. Zoti na e dhënë këtë hir!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.