2013-06-07 18:49:38

Pa mua nuk mund të bëni asgjë! (Emisioni IX)


Me një pyetje të re po e fillojmë edhe emisionin e 9-të të rubrikës, “Te gurra e besimit: “A mund të jetojë njeriu pa Zotin?”. Pa Të, na kujton Benedikti XVI, njeriu nuk di nga të shkojë. Sillet si hije nëpër mjegull, në kërkim të qetësisë së humbur. Madje nuk arrin të kuptojë as kush është. Përballë problemeve tronditëse të jetës së popujve, që të shqetësojnë nganjëherë deri në dëshpërim, vetëm një forcë mund të na vijë në ndihmë: Fjala e Jezu Krishtit, që na bën të vetëdijshëm për praninë e Tij, duke na kujtuar: “Pa mua, nuk mund të bëni asgjë!” (Gjn 15,5) e duke na dhënë edhe zemër: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës” (Mt 28,20).
E përballë punës, që duhet të kryejmë ditë pas dite, do ta humbisnim fare guximin për të vijuar ecjen në një rrugë kaq të vështirë, si kjo e jetës, herë me pamjen e shkretëtirës e herë të akullnajave. Vetëm një forcë na mban në këmbë, forca e besimit në praninë e Zotit. E dimë se Hyji është pranë atyre, që mblidhen në emër të Tij e punojnë për mbrojtjen e drejtësisë. Në Populorum progressio (n.42) Pali VI na kujton se njeriu, i vetëm, nuk mund ta sigurojë progresin e vet, sepse nuk është në gjendje ta themelojë humanizmin e vërtetë. Vetëm po të mendojmë se jemi të thirrur, individë e bashkësi, për të bërë pjesë në familjen e Hyjit, si bij të tij, do të jemi në gjendje të prodhojmë një mendim të ri e të gjejmë energji të reja në shërbim të humanizmit të vërtetë, të gjithanshëm. Forca më e madhe në shërbim të zhvillimit, është humanizmi i krishterë, që i frymëzon njerëzit të ecin në rrugën e dashurisë e u prin drejt së vërtetës. Duke i parë si njërën, ashtu edhe tjetrën, si dhurata të Zotit. Gatishmëria për t’i shërbyer Zotit, shndërrohet në gatishmëri për t’u shërbyer vëllezërve e edhe vetë jetës, parë si detyrë solidare e gazmore. Përkundrazi, mbyllja ideologjike përballë Zotit dhe ateizmi i indiferencës, që e harrojnë Krijuesin e, me Të, edhe vlerat njerëzore, na kujton me forcë Papa, duke na prirë te “gurra e besimit’, paraqiten sot si pengesat më të mëdha për zhvillimin. Humanizmi, që e përjashton Hyjin, është humanizëm çnjerëzor. Vetëm humanizmi, që i hap rrugën Absolutit, mund të na prijë drejt zhvillimit dhe realizimit të formave të reja të jetës shoqërore e qytetare, duke na shpëtuar nga rreziku i rënies në burgun e modave të çastit. Është pikërisht vetëdija e dashurisë së pashkatërrueshme të Zotit, që na mban në këmbë, në kërkimin raskapitës të drejtësisë e të zhvillimit të popujve. Dashuria e Zotit na fton të dalim nga gjithçka është e kufizuar e jo përfundimtare, na jep guxim të punojmë e të vijojmë udhën në kërkim të së mirës për të gjithë, edhe pse nuk mund të realizohet menjëherë, edhe pse ajo, që arrijmë të realizojmë, ne e autoritetet politike, është gjithnjë më e pakët, nga ajo që dëshirojmë (cfr Spe salvi, 35). Zoti na jep forcë të luftojmë e të vuajmë për të gjithë, sepse Ai është Gjithçka për ne, është shpresa jonë më e madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.