Kjo festë lindi në shekullin XVII pas zbulimeve që Jezusi i bëri në vitin 1675 shën
Margerites Alakok, rregulltare. E përshpirtëria ndaj Zemrës së Jezu Krishtit u përhap
në gjysmën e 1700-tës përmes shenjtës Margerita Maria Alakok. Me solemnitetin
e Zemrës së Shuguruar të Jezu Krishtit, prej disa vitesh përkon edhe Dita e Shenjtërimit
për Klerin. Nisma e ka zanafillën në vitin 1995, kur Gjon Pali II, duke pranuar
propozimin e Kongregatës për Klerin, caktoi datën vjetore të Ditës së Shenjtërimit
për Klerin. Që atëherë kjo Ditë kremtohet në solemnitetin e Zemrës së Krishtit
ose në ndonjë datë tjetër të rëndësishme, sipas mundësive ose traditave vendase. Është
festë në të cilën, në mënyrë të veçantë, lavdërojmë dashurinë e Hyjit. Festa lindi
në shekullin XVII pas zbulimeve që i bëri Jezusi Shenjtes Margerita Alakok, rregulltare
e Vizitacionit. Në vitin 1675 Krishti iu duk murgeshës, duke e ftuar ta përhapte flakën
e dashurisë së Zotit e, duke ua treguar Kishave zemrën e tij, të kërkonte themelimin
e një kulti publik dhe liturgjik. Në kultin e Zemrës së Krishtit ne adhurojmë dashurinë
e Hyjit për njerëzimin, adhurojmë dëshirën e Tij Hyjnore për shëlbimin universal dhe
mëshirën e Tij të pakufishme. Po çka do të thotë të jesh i devoçëm apo i përshpirtshëm
i Zemrës së Krishtit? Do të thotë ta adhurosh Zemrën e Krishtit si seli të
dashurisë së Zotit e të mëshirës së tij të pambaruar. Jezu Krishti e bëri të dukshme
dashurinë e Atit përmes Zemrës së Tij njerëzore, të ndjeshme, plot me dashuri e mëshirë.
Kulti publik liturgjik i Zemrës së Krishtit bazohet mbi zbulimet që vetë Zemra e Krishtit
i bëri motrës së shenjtë, Margerita Marisë e, para saj, edhe mistikëve të tjerë. Jezusi
iu duk Margerites Alakok nën formën e një dielli të shkëlqyer e i tha këto fjalë:
‘Kjo zemër e shporuar mbi Kryq nga dashuria, në vend që të gjejë ndër njerëz dashuri
e mirënjohje, gjen përbuzje, fyerje e deri blasfemi’. E Jezusi i tha rishtas: ‘E
shpëtova botën me Kryqin e mundimeve të mia. E tani dua ta shpëtoj përsëri, duke i
treguar Zemrën time, oqean i mëshirës sime të pambaruar’. E më pas Krishti kërkoi
kultin, jo vetëm individual, por edhe publik e shoqëror, kultin liturgjik, me themelimin
e festës së Zemrës së tij të Shuguruar ditën e parë pas tetëditshes të Solemnitetit
të Korpit të Krishtit. Jezusi ka thënë: mësoni nga unë që jam zemërbutë e i përvuajt.
E mos të harrojmë që jeta jonë ka lindur e duhet të përtërihet nga Zemra e shporuar
e Jezu Krishtit.