2013-06-07 14:51:02

Dialog i thellë e gazmor i Papës me të rinjtë e shkollave të Jezuitëve


Atmosferë e ngrohtë, plot thjeshtësi e dashuri, në takimin e Papës me Shkollat e Jezuitëve në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Përgatita një tekst, u tha Papa, po janë pesë faqe! Pakëz i mërzitshëm... Më mirë po bëjmë kështu; unë po e përmbledh shkurtimisht tekstin e pastaj po ia dorëzoj këtë me shkrim Atit provincial e po ia jap atë Lombardit, që ta keni të gjithë. E pastaj ka shumë mundësi që disa prej jush të kenë pyetje. Më mirë po bëjmë një dialog të vogël. Pika e parë e këtij teksti, tha Papa duke e përmbledhur, ka të bëjë me edukimin që u japim jezuitëve. Gjëja më themelore është shpirtmadhësia, zemërgjërësia. Ne duhet të jemi zemërgjërë, me zemër të madhe, pa frikë. Me syrin drejtuar nga idealet më të larta. Pa harruar edhe gjërat e vogla, sendet e përditshme. Zemër të gjërë, zemër të madhe.. . Ka rëndësi që këtë zemërgjërësi ta gjejmë me Jezusin, në kundrim të Jezusit. Jezusi është Ai, që na i hap dritaret për të rrokur horizontet e pafundme. Shpirtmadhësi do të thotë të ecësh me Jezusin, me zemrën plot vëmendje për ta dëgjuar e për të kuptuar atë, që na thotë Krishti! E, për këtë udhë, dëshiroj t’u them nja dy fjalë edukatorëve, punonjësve të shkollave, prindërve. Kur edukojmë, vijoi Papa, duhen matur mirë hapat. Duhen drejtpeshuar mirë. Një hap i matur në kornizën e sigurisë, tjetri, duke shkelur në zonën e rrezikshme. Nuk mund të edukohet vetëm në zonën e sigurisë: vetëm këtu, jo! Kjo do të thotë t’i pengosh personalitetet të rriten. E nuk mund të edukohet as vetëm në zonën e rrezikut: është tepër e rrezikshme. Hapat duhen drejtpeshuar mirë, mos e harroni kurrë këtë!
Arritëm në faqen e fundit, kujtoi Papa, duke vijuar t’i inkurajojë edukatorët të kërkojnë forma të reja në punën e tyre edukative. Forma jo konvencionale, por në përkim me nevojat e vendit, të kohës, të njerëzve. Kjo ka shumë rëndësi në përshpirtërinë injaciane: “Të kërkohen forma të reja, sipas vendeve, kohëve e njerëzve. Ju inkurajoj për këtë”.
Më pas, nisi dialogu me të rinjtë, që i bënë Papës një sërë pyetjesh, me vlerë për të rinj e të rritur.
Një djalë i kërkoi këshilla për rrugën e tij të jetës, shpesh të trazuar nga dyshimet.
“Të ecësh është art – u përgjigj Papa. Nuk duhet ecur gjithnjë me ngut, sepse lodhesh e nuk arrin në fund të rrugës. Po as të ndalesh nuk duhet. Njëlloj nuk arrin në fund, po u ndalove. Të ecësh do të thotë pikërisht të njohësh artin e përfshirjes së horizonteve, që të mëson të mendosh ku do të shkosh, por edhe ta përballosh lodhjen e udhës. Sepse udha shpesh herë është e vështirë. Ka shumë errësirë, gjatë saj. Ditë të errëta. Ditë kur njeriu rrëzohet. Po ju mos kini frikë nga dështimet. Në artin e ecjes, nuk ka rëndësi u rrëzove a jo; rëndësi ka të mos mbetesh i rrëzuar, të ngrihesh përsëri në këmbë, shpejt e shpejt, e të rifillosh udhën. Të ecësh në bashkësi, me miq e shokë, me ata, që të duan mirë: kjo na ndihmon, na ndihmon të arrijmë deri në fund të fundit, deri aty ku dëshirojmë të arrijmë”.
Një vajzë e pyeti nëse vijon t’i shikojë miqtë.
“Po unë jam Papë prej dy muajsh e gjysëm, ishte përgjigjja e Françeskut. Miqtë e mi janë 14 orë udhëtimi me avion larg meje, apo jo? Janë larg. Po dua t’ju them një gjë: tre prej tyre erdhën të më takojnë, të më përshëndesin, të tjerët më shkruajnë e i dua shumë. Nuk mund të jetohet pa miq: kjo ka shumë rëndësi”.
Një djalë tjetër i bëri pyetjen a kishte dëshiruar ndonjë herë të bëhej papë.
“Po ti, a ke parë ndonjë njeri, që nuk e do vetveten? - tha Ati i Shenjtë. Njeriu që dëshiron të bëhet Papë, nuk e do vetveten. Jo, unë nuk kam dëshiruar kurrë të bëhem papë”.
Ç’ ju shtyu të bëheni jezuit- erdhi menjëherë pas pyetja tjetër, e një vajze.
“Ajo që më pëlqente më shumë nga Shoqëria, u përgjigj Ati i Shenjtë, ishte fryma misionare. Doja të bëhesha misionar. E, kur studioja filozofinë, i shkrova eprorit të përgjithshëm të Jezuitëve, atë Arrupes, të më niste për Japoni, ose për ndonjë skaj tjetër të botës. Ai, si e mendoi mirë e mirë kërkesën time, më tha me shumë dashuri: “ Po ju keni pasur një sëmundje në mushkëri, e kjo nuk ju bën mirë në një punë kaq të fortë”. Kështu mbeta në Buenos Ajres. I mirë atë Arrupe. Nuk më tha: ‘Nuk jeni aq shenjt sa duhet, për t’u bërë misionar’. Ishte i mirë, i dashur. Kjo më dha forcë të bëhem jezuit, fryma misionare, dëshira për të shkuar në misione e për ta kumtuar kudo Jezusin”.Dialogu vijoi e ne do të merremi përsëri me të, sepse programatik. Por sot po ia hapim mikrofonin vajzave e djemëve tanë të Shkollës së Jezuitëve në Shkodër. Është dita e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.