Çelësi i fjalëve të Kishës: Kushtetuta dogmatike "Lumen Gentium"
Të dashur dëgjues, vazhdojmë emisionet tona kushtuar Koncilit II të Vatikanit. Javën
e kaluar ju folëm për kushtetutën “Gaudium et Spes” (Gëzimi e Shpresa), një nga dokumentet
më të rëndësishme konciliare, që e përgatitën Kishën Katolike për t’i kuptuar e interpretuar
më mirë shenjat e kohës, në dritën e Ungjillit. Sot, do të flasim për një kushtetutë
tjetër, ndër katër kushtetutat konciliare, për “Lumen Gentium”, që do të thotë
“Drita e Popujve”. Paraqitet në të doktrina katolike për Kishën, mënyra se si
e kupton ajo vetveten, funksioni i saj shpirtëror e organizimi i saj. Por “Lumen Gentium”
nuk flet për një kishë hierarkike, të përbërë nga papa, ipeshkvijtë, meshtarët e laikët,
por për një kishë të konceptuar si “popull i Zotit”, për të cilin i jepet rëndësi
pagëzimit, që bashkon të gjithë të krishterët. Kisha, që përbëhet nga njerëzit,
të cilët jetojnë në tokë, e Kisha e pasuruar me të mirat qiellore, nuk ndahet në dy
realitete të ndryshme. Është një e vetme, njerëzore dhe hyjnore njëkohësisht. Ky është
një nga pohimet më të bukura të kushtetutës, e cila e përvijon Kishën si shoqëri të
dukshme nga njëra anë, dhe si Korp i mistershëm i Krishtit, nga ana tjetër. Zoti,
thuhet në kapitullin e nëntë, deshi t’i shëlbojë njerëzit, duke zgjedhur një popull
për t’i shërbyer Atij, popullin e Izraelit. Kisha tokësore, që e bën të pranishëm
Krishtin sot, është e nevojshme për të arritur shëlbimin. Prandaj, në Kishë duhet
të marrim pjesë me “zemër”, por edhe me “korp”. I përket vërtet Kishës, thuhet
në “Lumen Gentium”, ai që beson në të vërtetat e shpallura prej saj. E në kohën
e sotme, kjo nuk është e lehtë. Nuk janë pak ata, që e quajnë veten besimtarë, por
mendojnë se marrëdhëniet e tyre me Zotin janë thjesht çështje personale e nuk kanë
nevojë për ndërmjetësimin e Kishës, e cila, nga ana e saj, përbëhet nga njerëz, edhe
nga njerëz me kufizime e mëkate. Por, nëse Krishti u bë njeri, vendosi Pjetrin
në krye të Kishës, u dha apostujve detyrën për të ungjillëzuar botën dhe pohoi se
do të jetë gjithnjë i pranishëm “aty ku dy o tre vetë mblidhen në emrin e Tij”, do
të thotë se nuk ka fe të vërtetë, pa njohur e ndjekur Mësimet e Kishës e pa marrë
pjesë në bashkësinë e krishterë. Feja nuk mund të reduktohet në mendime e ngjarje
private e personale. Secili, në Kishë, duhet të jetë shenjë e mjet i Krishtit. Kjo
është përgjegjësia e re, që u jep besimtarëve kushtetuta dogmatike “Lumen Gentium”,
e cila përcakton edhe rolin e laikëve në Kishë, si bashkëpunëtorë të hierarkisë.
Laikët, thuhet në kapitullin 33 të Kushtetutës, duhet të kontribuojnë në përhapjen
e mesazhit të krishterë në vendet ku jetojnë, në punë, në familje… Hierarkia mund
t’i ngarkojë edhe me detyra kishtare. Besimtarët, vazhdon kushtetuta, duhet të dinë
të dallojnë ndërmjet të drejtave e detyrave që kanë, si pjesë e Kishës dhe atyre që
kanë, si pjesë e shoqërisë njerëzore. Edhe në veprimtarinë e përditshme, ata duhet
të udhëhiqen nga ndërgjegjja e krishterë. Me fe, ne pohojmë se Kisha është e
shenjtë, prandaj, kushtetuta “Lumen Gentium” thekson me forcë se të gjithë jemi të
thirrur për shenjtërimin e jetës, për t’u bërë shenjt. Kisha nuk është ndonjë shpikje
e njeriut, prandaj askush nuk mund ta manipulojë.