2013-06-06 11:39:20

Revolucioni antikristian në Evropë. Introvinje: sfera më delikate, kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes.


Po shkakton shumë debate, artikulli i historianit dhe editorialistit Ernesto Gali dela Logja, botuar të dielën e kaluar në gazetën italiane “Corriere della Sera”. Flet për revolucionin, që ka përfshirë mbarë Evropën, lidhur me mendësinë e zakonet: revolucion antifetar, pohohet, që në Evropë, për arsye historike, është kryesisht antikristian. “Numëruam në Evropë 41 ligje që mund të ndryshohen, me ndikim negativ mbi lirinë fetare të të krishterëve, në 15 vende, ndërmjet të cilëve, për fat të mirë, Italia nuk figuron”, vëren kohët e fundi Masimo Introvinje, koordinator i Vëzhguesit të Lirisë fetare, themeluar nga Ministria e Jashtme e Italisë. E intervistuam:
Përgjigje: - Sfera më delikate ka të bëjë me kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes, e drejtë që, pothuajse në të gjitha vendet, u njihet mjekëve lidhur me abortin - edhe pse vërejmë pikërisht në Itali, në këto javë, një fushatë për ta kufizuar - por që, si rregull, u njihet në mënyrë shumë modeste farmacistëve lidhur me pilulat apo ilaçet kundër shtatzanisë e edhe me pilulat abortive. Çështja e pilulave abortive dhe e farmacistëve diskutohet në shumë vende evropiane, me një frymë, që po shtrihet edhe në SHBA e në Kanada e që ka prirjen të vërë në diskutim vetë parimin e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, për motive fetare.

Pyetje: - Një front tjetër është ai i kremtimit të martesave ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks. Në Francë, kujton Gali della Logja, mbi bazë të ligjshmërisë në fuqi, për të krishterët është faktikisht e pamundur të pohojnë publikisht se marrëdhëniet seksuale ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks, sipas fesë së tyre, janë mëkat...

Përgjigje: - Ka dy tipe ligjshmërish, që duhen pasur parasysh në këndvështrimin e lirisë fetare. Lidhur me bashkimet civile, ishte një rast, që për fat të keq përfundoi negativisht në aspektin e lirisë fetare edhe pranë Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut. Rasti ka të bëjë me një funksionare të gjendjes civile në Britaninë e Madhe e cila, për shkak të bindjeve të saj të krishtera, nuk pranoi të kurorëzonte një martesë civile ndërmjet dy homoseksualëve. Pushimi i saj nga puna u quajt ‘i justifikueshëm’ nga Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut, e cila shkroi se e drejta e homoseksualëve për njohjen e bashkimit të tyre qëndron përmbi të drejtën e lirisë fetare. Çështja është në gjykatën e apelit. Edhe në Itali, për fat të keq, propozimet për ligjshmërinë e re, në disa raste e përjashtojnë mundësinë e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, duke parashikuar dënime të rënda për zyrtarët e komunave, që do të refuzojnë t’i kremtojnë e t’i regjistrojnë bashkimet civile të kësaj natyre. Sfera e dytë e kujtuar nga Gali della Logja, është ajo e ligjeve mbi homofobinë, norma që natyrisht përligjen, kur është fjala për mbrojtjen e homoseksualëve nga sulmet ose nga dhuna, por në disa vende evropiane, e jo vetëm në Francë, po përdoren për të gjobitur njerëz për krime opinioni, domethënë, nga që pohojnë, për shembull, se sjellja homoseksuale është objektivisht e çrregullt.

Pyetje: - Gali dela Logja pohon se në Evropë liria fetare ka përfaqësuar historikisht zanafillën (dhe kushtin) e të gjitha lirive civile e politike. Nga krishterimi lindën, për shembull, spitalet e bankat, që edhe të varfërit të mund t’i përmirësonin kushtet e jetesës. A nuk të shqetëson fakti që Evropa po mohon zanafillën e vet...
Përgjigje: - Shumë herë intoleranca dhe diskriminimi, në këtë rast kundër krishterëve, bazohen mbi injorancën dhe falsifikimin e historisë. Të drejtat e grave janë vepër e krishterimit; nuk ekzistonin në botën e lashtë. Gratë ishin krejt të varura, një herë nga etërit, pastaj nga bashkëshortët, që në disa çaste historike e në disa kultura, kishin të drejtë edhe të vendosnin mbi jetën e mbi vdekjen e tyre. Mund t’i vrisnin, pra, pa u dënuar nga askush. Të drejtat e grave, ashtu si dhe të fëmijëve, me ndalimin e abortit e të vrasjes së foshnjave, afirmohen në Evropë me përhapjen e krishterimit, e po kështu, edhe mjekimi i të sëmurëve e lulëzimi i ekonomisë rreth manastireve, deri në lindjen e bankës, në Mesjetë, që u krijoi të gjithëve, pa asnjë përjashtim, mundësinë ta ruajnë paranë e të marrin pjesë në veprimtari ekonomike. Pa bërë krahasime të pakëndshme, shumë sociologë të historisë, mendoj për Rodney Stark, na treguan sesi në zona të tjera, ku krishterimi nuk kaloi, këto institucione u afirmuan shumë më mundimshëm e arritën shumë më vonë. Prej këndej, të drejtat e njeriut, deshëm s’deshëm, janë fryt i krishterimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.