Raporti i FAO-s 2013: 870 milion të uritur, 1,4 miliard mbi peshë
“Sistemi i ushqimit për shëndet më të mirë”: ky është titulli i raportit vjetor të
FAO-s, që u paraqit këto ditë në Romë, nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.
Një paradoks: ndërsa nga njëra anë, 870 milion njerëz vuajnë nga uria në botë, nga
ana tjetër, 1,4 miliard të tjerë janë mbi peshën normale, shumë prej të cilëve obezë.
Çuditërisht, të gjithë i bashkon “uria” e për të gjithë janë të nevojshme zgjidhje
me kosto të lartë për ekonominë. Në mikrofonin tonë Kostas Stamoulis, drejtor i Divizionit
ekonomik për zhvillimin bujqësor: Njerëzit, që ushqehen keq në botë janë disa
miliardë. Ndër ta, 870 milion vetëve u mungojnë kaloritë e nevojshme për të jetuar,
ndërsa 2 miliard të tjerë vuajnë nga mungesa e vitaminave dhe e mineraleve themelore.
Pastaj, kemi 1,4 miliard njerëz mbi peshën normale, prej të cilëve, 500 milion obezë. Për
të zgjidhur problemin e urisë në botë, duket sikur mjafton që tepricat e obezëve t’u
jepen të uriturve, apo jo? Raporti hap debatin mbi vetë sistemin agro-ushqimor,
që nga prodhimi i produkteve bujqësore e deri tek konsumatorët. Ky sistem mund të
bëjë shumë më tepër në luftën kundër mënyrës së gabuar të të ushqyerit. Mënyra si
ushqehemi duhet të jetë në qendër të politikave për të gjithë sektorët e për të gjitha
qeveritë. Cilat janë pikat kryesore, në të cilat duhet përqëndruar politika
e çdo qeverie, sipas FAO-s? Po, FAO u bën thirrje të gjithëve të bashkëpunojnë
për zgjidhjen e problemit, sepse ai nuk mund të përballohet vetëm nga sistemi agro-ushqimor.
Ky është themelor, por duhet të bashkëveprojë me sistemin e shëndetësisë, të parandalimit,
të ujit të pastër etj.. Qeveritë, si ato të vendeve të pasura, ashtu edhe ato të vendeve
të varfëra, tani, janë më të ndjeshme ndaj kësaj çështjeje. Ndoshta, kriza agro-ushqimore
e viteve 2007-2008 kontribuoi për të vënë në dukje dobësitë e sistemit global e ato
të sistemeve të veçanta kombëtare në këtë sektor. Fakti që ushqimi është në qendër
të mbledhjes së G8-ës e të G20-ës na inkurajon shumë.