2013-06-06 16:20:43

Karrierizmi është si gërbula, bëhuni njerëz të lirë brenda: kështu Papa Françesku, diplomatëve të ardhshëm të Selisë së Shenjtë


Papa Françesku u dha sot diplomatëve të ardhshëm të Selisë së Shenjtë një leksion të vërtetë për lirinë, që duhet të karakterizojë shërbimin e tyre, larg karrierizmit e marrëveshjeve nën rrogoz, që janë të pranishme edhe në Kishë. Rasti qe takimi në Vatikan me meshtarët e rinj, që studiojnë në Akademinë Kishtare, e cila përgatit diplomatët e nuncët apostolikë. Duke u folur me përzemërsi, por edhe me vendosmëri, Papa Bergolio theksoi:
“Të jesh i lirë, para së gjithash, do të thotë të jesh i lirë nga planet vetjake: nga disa prej mënyrave konkrete, me të cilat, ndoshta, një ditë, keni menduar ta jetoni meshtarinë, nga mundësia për të programuar të ardhmen, nga perspektiva për të qëndruar gjatë në vendin e veprimit tuaj baritor. Të jesh njeri i lirë do të thotë të bëhesh, në një farë mënyre, i lirë edhe nga kultura e nga mendësia prej së cilës vini, jo për ta harruar e as për ta mohuar, por për t’ia hapur mendjen me dashuri kuptimit të kulturave të tjera e takimit me njerëz, që i përkasin një bote, edhe shumë larg suajës”.
Duhet të zhvisheni nga ambiciet vetjake, vazhdoi t’u thotë Papa meshtarëve, pasi ato i bëjnë keq Kishës. Duhet të punoni jo për lavdinë tuaj, por për Ungjillin e për plotësimin e misionit, që do t’ju besohet. Prandaj, u shpjegoi Ati i Shenjtë aspirantëve diplomatë, duhet të jeni gati ta ndërthurni këndvështrimin tuaj personal mbi Kishën, çdo ide apo gjykim, me horizontin e Shën Pjetrit, që përqafon krejt botën, sidomos ato vende, shpesh të harruara, ku Kisha e njerëzimi kanë më shumë nevojë. Leksion jo vetëm për diplomatët e Selisë së Shenjtë, por për çdo diplomat, që ka për zemër vendin e popullin e vet, ky i Papës argjentinas, i cili citoi dy paraardhësit e tij, Benediktin XVI e Gjonin XXIII. Sidomos ky i fundit, para se të bëhej Papë, qe për një kohë të gjatë, nunc apostolik në Turqi. Pikërisht, duke kujtuar veprimtarinë e Gjonit XXIII, si Përfaqësues papnor, Ati i Shenjtë, Françesku, i këshilloi kështu studentët:
“Të dashur miq, kujdesuni jashtëzakonisht për jetën tuaj shpirtërore, burimi i lirisë së brendshme. Pa lutje, nuk ka liri brenda vetes. Mjetet për t’i përngjarë Krishtit, tipike të përshpirtërisë meshtarake, mund të bëhen thesar i çmuar, nëse luteni e nëse e ktheni punën e përditshme në palestër për shenjtërimin e jetës”.
Duke folur herë me letër e herë jo, Papa Françesku u tha diplomatëve të ardhshëm të ecin gjithnjë në udhën e shenjtërimit, pasi kur në Nunciaturë është dikush – sekretar, apo nunc – që nuk ecën në këtë udhë, por merr sjelljet e kësaj bote, bëhet qesharak, të gjithë tallen me të:
“Ju lutem, mos u bëni qesharakë: o shenjtorë, o kthehuni në dioqezë e bëni famullitarin, por mos u bëni qesharakë në udhën tuaj diplomatike, në jetën diplomatike, ku ekziston rreziku i madh të ktheheni në materialistë… Të jetosh në shërbim të Pasardhësit të Pjetrit e të Kishave, ku do të dërgoheni, mund të duket e vështirë, por do t’ju japë mundësinë, si të thuash, të qëndroni e të merrni frymë në zemër të Kishës, të katolicitetit të saj. E kjo është dhuratë e veçantë”.
Së fundi, Papa Françesku nuk harroi të falenderojë murgeshat e personelin laik, që punon në Akademinë Kishtare, duke i uruar edhe një herë meshtarët studentë ta mendojnë shërbimin e tyre për Selinë e Shenjtë, sipas shembullit të Gjonit XXIII nën mbrojtjen e Zojës e të Pajtorit të tyre, Shna’Ndout Abat.







All the contents on this site are copyrighted ©.