2013-06-05 14:10:28

Papa në homeli të Meshës: “Të bërtasësh nga dhembja para Zotit, është lutje që del nga zemra”.


Të ankohesh për vuajtjet tuaja para Zotit, nuk është mëkat, por lutje që del nga zemra e arrin te froni i Hyjit! Këtë pohoi sot Papa gjatë Meshës, kremtuar në kapelën e Shën Martës. Të pranishëm, anëtarë të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe punonjës të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Bashkëkremtuan me Atin e Shenjtë, ndërmjet tjerësh, kardinali Antonio Kanizares Llovara, imzot Cezare Pazini e imzot Jozef di Noia.
Historia e Tobit dhe e Sarës, sipas Leximit të parë të Meshës së sotme, ishte në qendër të vëmendjes, në homelinë e Papës. Dy njerëz të drejtë, që jetojnë në situata dramatike. I pari, verbohet, ndonëse bën veç mirë, duke rrezikuar edhe jetën, për të shpëtuar jetë të tjera; e dyta martohet me shtatë burra, që vdesin para natës së dasmës. Të dy, të zhytyr në një dhimbje të thellë, i luten Zotit t’i shpëtojë nga një jetë e tillë, t’i ndihmojë të vdesin. Janë njerëz, që kanë arritur në kulmin e dhimbjes; njerëz, që nuk mund të durojnë më fatkeqësi, sepse kanë duruar sa më s’mban. Kërkojnë, prandaj, rrugëdalje, qoftë edhe tejet tragjike. Qahen, por nuk blasfemojnë:
E të ankohesh para Zoti nuk është mëkat. Një prift, që njoh, një herë i pati thënë një gruaje, e cila ankohej para Zotit për fatkeqësitë që i kishin rënë mbi kokë: ‘Po, zonjë, kjo është një nga format e lutjes. Mund të lutesh edhe kështu’. Zoti i dëgjon ankimet tona. Të mendojmë për të mëdhenjtë, për Jobin që, në kapitullin III, thotë: ‘Mallkuar qoftë dita, kur erdha në botë’. E edhe Jeremia, në kapitullin XX ‘Mallkuar dita...’. Ankohen edhe duke mallkuar... jo Zotin, por gjendjen në të cilën jetojnë. E kjo është njerëzore”.
Papa kujtoi, pastaj, Ungjillin, episodin e gruas që saduçenjtë e dënonin, sepse kishte mbetur shtatë herë e vejë. Saduçenjtë flisnin për këtë grua, si të ishte ndonjë laborator, pohoi Ati i Shenjtë. Ndërsa njeriu, kur mendon për tjetrin, duhet të mendojë sipas zemrës së vet, sipas mishit e gjakut të vet, jo sipas mendjes së statistikave, të ideve të pastërta, të akademive e, kur është përballë fëmijëve të uritur, refugjatëve, të sëmurëve, që numërojnë orët fundit, duhet të lutet për ta. Sepse dhe Zoti i shikon e qan për ata, që vuajnë si Krishti në kryq, kur lëshon klithmën më tragjike, që ka dëgjuar ndonjëherë bota: “Atë, o Atë, pse më lëshove dore?”. E ul kokën e vdes!Të lutemi me shpirt, porositi Papa, që lutja jonë të arrijë te Zoti e të jetë burim shprese për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.