2013-06-05 11:46:19

"Kisha nuk e braktis popullin sirian": kështu, Papa Françesku, në takimin me organizmat katolike bamirëse, që veprojnë në Siri


Të dashur miq
Ju falenderoj për të këtë takim e për krejt veprimtarinë humanitare në Siri e në vendet fqinjë, në ndihmë të popullsive, viktima të konfilktit aktual. E kam nxitur unë vetë Këshillin Papnor “Cor Unum” të organizojë këtë mbledhje koordinimi për veprimtaritë e organizmave bamirëse katolike në rajon. Falenderoj kardinalin Sarah për përshëndetjen. U uroj mirëseardhjen atyre, që vijnë nga Lindja e Mesme, në veçanti, atyre, që përfaqësojnë Kishën në Siri.
Është i njohur shqetësimi i Selisë së Shenjtë për krizën siriane e, në mënyrë të veçantë, për popullsinë, shpesh të pambrojtur, që vuan pasojat e konfliktit. Benedikti XVI pati kërkuar vazhdimisht të ulen armët e të gjendet një zgjidhje me dialog për të arritur pajtimin e vërtetë ndërmjet palëve. Përveç kësaj, ai deshi të shprehë afërsinë e tij personale, nëntorin e kaluar, kur dërgoi kardinalin Sarah në ato zona, duke e shoqëruar gjestin me kërkesën “për të mos i kursyer përpjekjet në kërkim të paqes” e duke shfaqur impenjimin e tij konkret e atëror me një ofertë, në të cilën kontribuan edhe Etërit Sinodalë, tetorin e kaluar.
Edhe unë personalisht e kam fort për zemër fatin e popullsisë siriane. Ditën e Pashkëve bëra thirrje për paqe “sidomos në Sirinë e dashur, për popullsinë e plagosur nga konflikti e për refugjatët e shumtë, që presin ndihmë e ngushëllim. Sa gjak është derdhur! Sa vuajtje duhet të shkaktohen akoma, para se të arrihet zgjidhja politike e krizës?”.
Para vazhdimit të dhunës e të abuzimeve rinovoj me forcë thirrjen time për paqen. Gjatë javëve të fundit, bazshkësia ndërkombëtare ka theksuar synimin për të promovuar nisma konkrete drejt dialogut të frytshëm, më qëllim që t’i jepet fund luftës. Janë përpjekje që duhen përkrahur, shpresojmë të çojnë drejt paqes. Kisha e ndjen se duhet të japë një dëshmi të përvuajtur, por konkrete e të frytshme, të bamirësisë e të dashurisë, që ka mësuar nga Krishti, Samaritani i Mirë. E dimë se kur ndokush vuan, Krishti është me të. Nuk mund të tërhiqemi pikërisht para gjendjeve ku dhimbja është më e madhe! Prania juaj në mbledhjen e koordinimit tregon vullnetin për të vazhduar me besnikëri veprën e çmuar të ndihmës humanitare, në Siri e në vendet fqinjë, që me bujari strehojnë të ikurit nga lufta. Vepra juaj duhet të jetë e shpejtë dhe e koordinuar, shprehje e atij bashkimi, që është dëshmi më vete, siç këshilloi Sinodi për Lindjen e Mesme. Përveç gjetjes së zgjidhjes së konfliktit me bisedime, bashkësisë ndërkombëtare i kërkoj të favorizojë ndihmën humanitare për refugjatët dhe të shpërngulurit sirianë, duke synuar kryesisht të mirën e njeriut dhe mbrojtjen e dinjitetit të tij. Për Selinë e Shenjtë, vepra e Agjencive bamirëse katolike është jashtëzakonisht domethënëse: të ndihmosh popullsinë siriane, pa dallim etnie e feje, është mënyra më e drejtë për të dhënë një kontribut në paqtimin e ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse. Këtu synon edhe përpjekja e Selisë së Shenjtë: të ndërtohet një e ardhme në paqe për Sirinë, ku të gjithë të jetojnë të lirë e t’i shprehin lirisht veçoritë e tyre.
Mendimi i Papës, në këtë çast, shkon në bashkësitë e krishtera, që banojnë në Siri e në krejt Lindjen e Mesme. Kisha mbështet ato gjymtyrë të saj, që sot, ndodhen veçanërisht në vështirësi. Ato kanë detyrën e rëndësishme ta bëjnë të pranishëm krishterimin në rajonin, ku ka lindur. E është detyrë e jona të favorizojmë vazhdimin e kësaj dëshmie. Pjesëmarrja e gjithë bashkësisë së krishterë në këtë vepër të madhe asistence e ndihme është domosdoshmëri e momentit aktual.
Ju falenderoj akoma për këtë nismë e lutem që Hyji t’i japë bekimin hyjnor secilit prej jush, por edhe besimtarëve të dashur, që jetojnë në Siri e të gjithë sirianëve, aktualisht, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës. Ju, këtu të pranishëm, qofshi mjet për t’i thënë popullit të dashur sirian dhe atij të Lindjes së Mesme se Papa i ndjek dhe u qëndron pranë. Kisha nuk i braktis!







All the contents on this site are copyrighted ©.