2013-06-05 11:46:45

Alarm i OKB-së: në Siri përdoren armë kimike


OKB-ja denoncon se në Siri përdoren armë kimike, pasi njihet tashmë akuza e saj kundër regjimit të Bashar Al Asadit, për krime lufte e kundër njerëzimit. SHBA-të tregohen të kujdesshëm e presin prova të tjera, ndërsa Franca deklaron se kundër popullsisë siriane është përdorur gazi sarin. Ndërsa ushtria qeveritare njofton se ka marrë në dorë rajonin e Kusairit, gjendja humanitare rëndohet. Opozita flet për rreth 1000 të plagosur, 400 prej të cilëve, rëndë, bllokuar në qytet. I kërkon Libanit të hapë një korridor humanitar, por Bejruti ka problemet e veta. Në Tarabulluz, dy vetë kanë humbur jetën dje në ndeshjet ndërmjet përkrahësve të regjimit sirian e atyre të opozitës.
Sot, në Gjenevë u takuan përfaqësues të Rusisë, SHBA-ve dhe OKB-së për të diskutuar mbi përgatitjet për konferencën ndërkombëtare të paqes për Sirinë. Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi këto ditë se është thellësisht i shqetësuar për diplomatët e vet, që do të ulen në një tryezë me “kanibalët” e opozitës siriane. Iu referua qartë rastit të një rebeli, që hëngri zemrën e një ushtari të vrarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.