2013-06-04 14:56:26

Së shpejti do të shpallen të Lumë 95 martirë që u vranë gjatë Luftës civile spanjolle.


Kisha do t’i ketë shumë shpejt 95 të Lumë të ri, meshtarë, rregulltarë e laikë të vrarë për arsye të urrejtjes së fesë së tyre të krishterë në vitin 1936, gjatë Luftës civile në Spanjë. Janë njohur e pranuar katër të ri të Nderuar Shërbëtorë të Zotit. Papa Françesku ka autorizuar Kongregatën e Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve t’i shpall Dekretet përkatëse mbi njohjen e martirizimit e të virtyteve heroike.
Pas kryengritjes ushtarake të 17 korrikut 1936 kundër Republikës Spanjolle, shpërtheu menjëherë lufta civile. Që në fillim të kësaj tragjedie ndodhën ngjarje që tregonin qartë se po niste persekutimi fetar. Gjatë luftës civile në Spanjë të vitit 1936 iu vunë prangat shumë priftërinjve, rregulltarëve e besimtarëve laikë katolikë spanjollë. E pas një kalvari të gjatë, u vranë të gjithë, në rrethana e vende të ndryshme. Historiani anglez Hug Tomas pohon se në asnjë çast të historisë evropiane e ndoshta edhe botërore, nuk është shprehur një urrejtje kaq e tmerrshme kundër fesë e të gjitha veprimtarive të saj.
E, duke kujtuar këtë tragjedi, imzot Olaekea, kryeipeshkëv i Valencies, në vitin 1957 shkruante: “Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund të vërë në dyshim se u vranë për shkak të urrejtjes që kishin vrasësit e tyre kundër Krishtit. Martirët ishin të vetëdijshëm se po i vrisnin vetëm pse ishin priftërinj, rregulltarë e besimtarë. E pranuan vdekjen për t’i qëndruar besnikë Hyjit e për të mos hequr dorë nga feja”.
Prandaj ditët e tyre të fundit qenë plot me shenja që flasin për fenë në Krishtin e për besnikërinë e tyre: deklaruan se e kishin mbështetur tërë shpresën në Zotin e se besonin plotësisht në Provaninë e tij hyjnore, e ndihmuan njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore për të përballuar vuajtjet e martirizimin, u lutën së bashku, duke kremtuar sa herë mundnin, Eukaristinë e duke i falur të gjithë ata që po i mundonin e po përgatiteshin t’ua merrnin edhe jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.