2013-06-03 12:39:06

Papa: të korruptuarit i bëjnë shumë keq Kishës, shenjtorët janë dritë për të gjithë


Mëkatarë, të korruptuar e shenjtorë. Ky ishte trinomi rreth të cilit u shtjellua sot homelia e Papës Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se të korruptuarit i shkaktojnë dëme të mëdha Kishës, pasi adhurojnë vetëm vetveten, ndërsa shenjtorët janë drita e saj.
Çfarë ndodh kur duam të bëhemi ne, pronarë të vreshtës? – pyeti Papa, duke iu referuar shembëlltyrës së Ungjillit të sotëm, që tregon për vreshtarët e këqinj. Duke u përgjigjur, Ati i Shenjtë vuri në dukje tri modele tipike të krishterësh në Kishë. Për mëkatarët, tha ai, s’ka nevojë të flasim shumë, sepse ne të gjithë jemi të tillë. E ndjejmë në shpirt kur jemi mëkatarë e atëherë, duhet shkuar për vizitë tek ‘mjeku shpirtëror’, pra tek rrëfyestari. Por, vazhdoi Papa Bergolio, shembëlltyra ungjillore na flet për një figurë tjetër, për ata, që duan të bëhen të zotët e vreshtës dhe s’pyesin për Zotin e vërtetë të saj. Një Zot, që na ka thirrur të gjithëve me dashuri, na mbron, por na jep edhe liri. E nganjëherë njerëzit abuzojnë me lirinë, siç ndodhi me punëtorët e vreshtës, për të cilët tregon Ungjilli i sotëm:
“Këta, dalëngadalë, rrëshqitën drejt autonomisë në marrëdhëniet me Zotin: ‘Nuk kemi nevojë për atë Zot, të mos na shqetësojë më!’. E kështu, vazhdohet në këtë rrugë. Këta janë të korruptuarit! Ata, që ishin mëkatarë si të gjithë ne, por bënë edhe një hap përpara, si të nguliteshin më fort në mëkat: nuk kanë nevojë për Hyjin! Por vetëm në dukje, sepse në kodin e tyre gjenetik janë të shkruara marrëdhëniet me Zotin. E meqë këtë nuk mund ta mohojnë, shpikin një zot të veçantë: ata vetë bëhen zot. Këta janë të korruptuarit”.
Papa Françesku nënvizoi se çdo i krishterë e ka mbi krye këtë rrezik. Edhe në bashkësitë e krishtera, theksoi, të korruptuarit mendojnë vetëm për grupin e tyre: “Mirë, mirë. Është yni” – mendojnë – por në të vërtetë, “janë vetëm për vete”:
“Juda e filloi nga mëkatari koprrac e përfundoi në korrupsion. Është udhë e rrezikshme ajo e autonomisë: të korruptuarit harrojnë, nuk e mbajnë mend dashurinë, me të cilën Zoti e ka ngritur vreshtën, i ka krijuar ata vetë! I kanë prerë marrëdhëniet me këtë dashuri! E kështu, kthehen në adhurues të vetvetes. Kjo është e keqja, që sjellin të korruptuarit në bashkësitë e krishtera! Zoti na ndihmoftë të mos biem në rrugën e korrupsionit”.
Më pas, Papa Françesku foli për shenjtorët, duke kujtuar se sot kremtohet 50-vjetori i vdekjes së Papës Gjoni XXIII, ‘model shenjtërie’. Në Ungjillin e sotëm, shtoi, shenjtorët janë ata, “që shkojnë të marrin qeranë” e vreshtës, pjesën, që i takon të Zotit të saj, por rrihen e vriten nga punëtorët e këqinj, të korruptuarit. E dinë ç’i pret, por shkojnë të kryejnë detyrën, që u ka dhënë Zoti:
“Shenjtorët, ata që i binden Zotit, ata që e adhurojnë Zotin, ata që e mbajnë mend mirë dashurinë, me të cilën Zoti e ka krijuar vreshtën. Shenjtorët e Kishës. Të korruptuarit i bëjnë shumë keq Kishës, por shenjtorët i bëjnë mirë. Për të korruptuarit, shën Gjoni Apostull thotë se janë antikrishti. Janë në mesin tonë, por nuk janë tanët. Për shenjtorët, Fjala e Zotit flet për dritë, ‘ata që do të jenë para fronit të Hyjit, në adhurim’. T’i lutemi sot Zotit të ndjehemi mëkatarë, por mëkatarë të vërtetë, jo në përgjithësi: mëkatarë për këtë, atë e atë tjetrën, mëkatarë konkretë, me mëkate konkrete. T’i lutemi të mos bëhemi të korruptuar: mëkatarë po, të korruptuar jo! E t’i kërkojmë hirin që të ecim në udhën e shenjtërisë. Ashtu qoftë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.