2013-06-03 16:34:24

Në Vatikan përkujtohet 50-vjetori i vdekjes së Papës Gjonit XXIII.


50 vjet më parë, më 3 qershor, jepte shpirt Papa Gjoni XXIII. E në bazilikën e Vatikanit, imzot Françesko Beski, ipeshkëv i Bergamos, kryesoi Meshën për shpirtin e Papës së ndjerë, me rastin e këtij përvjetori. Në përfundim të kremtimit, arriti në Bazilikë edhe Papa Françesku. Gjoni XXIII, në shekull Anxhelo Gjuzepe Ronkali, zgjedhur i 261-ti Papë, më 28 tetor 1958, duke pasuar Piun XII, qysh në fillim papnoi me një stil, që pasqyronte personalitetin e tij njerëzor e meshtarak, fituar përmes një sërë pervojash domethënëse dhe një jete thellësisht shpirtërore.
Vdiq në muzg të 3 qershorit 1963; u lumnua nga Gjon Pali II, më 3 shtator të vitit 2000. Për ta kujtuar ‘Papën e Mirë’, intervistuam imzot Loris Kapovilën, ish-sekretar i posaçëm i Papës Gjoni XXIII:

Përgjigje: - Biseda e tij me Zotin ishte e përnjëhershme, spontane, e qetë. I lutej Zotit, si fëmija nënës. Kishte fenë e njerëzve të vegjël e të varfër. E pohon këtë në një letër mahnitëse, drejtuar prindërve. Ishte përfaqësues i Papës në Bullgari e, ditën e Krishtlindjes u përmallua, duke kujtuar shtëpizën atërore në fshat. I përfytyroi të tijtë rreth sofrës së varfër, të thjeshtë e, plot mall, shkroi: “Krishtlindja është festa e familjeve, posaçërisht atyre, që kanë shumë fëmijë, si familja jonë”. E shtoi “E dini se kam studiuar, kam marrë diploma e kam harruar shumë gjëra, nga ato që i mësova në shkollë. Por nuk harrova asnjë mësim, që më dhatë ju, baba i dashur e nënë e shtrenjtë: e as çka mësova nga famullitari, që më pagëzoi. E kjo është drita më e mirë, e cila ma ndriçon mendjen në jetë: forca për të vijuar t’i bindem urdhërit, që më jep Zoti, përmes Atit të Shenjtë”.

Pyetje: - Kjo figurë vigane e shekullit të kaluar, e njohur nga të gjithë, jo vetëm nga bota katolike, pati një jetë kuptimplote. Me këtë bagazh, ai ngjiti një nga një këmbët e shkallës së karrierës, një karriere të rëndësishme...

Përgjigje: - Ditën e zgjedhjes së tij në Papni, si doli në lozhën qëndrore të Bazilikës së Shën Pjetrit – ishte ora gjashtë e mbrëmjes - dritat e prozhektorëve dhe kinoaparatet e verbuan, e ai, që ishte kureshtar, që donte të shikonte fytyrat e vëllezërve e të motrave, nuk mundi të shohë asgjë. Pakëz i zhgënjyer që nuk pa gjë prej gjëje, tha: “U ktheva për të hyrë rishtas nga ballkoni, në Sallën e Bekimeve. Më printe i Kryqëzuari, kthyer nga unë, e m’u duk se Jezusi më foli: “Angjelin! Ndërrove emër e petka, por mos harro se, po ndërrove edhe zakone e harrove se duhet të jesh zemërbutë e i përvujtë, si unë, nuk do të shikosh asgjë nga jeta e Kishës, e as nga jeta e botës. Do të mbetesh i verbër!”. “Zemërbutë e i përvujtë” ishte shprehja e parë që përdori Anxhelo Ronkali, kur bota nisi ta quante Gjoni XXIII.

Pyetje: - A mund të themi se ishte pikërisht urgjenca për ta kumtuar Ungjillin në përkim me kohën, që e nxiti Gjonin XXIII të mendonte për mbledhjen e Koncilit II të Vatikanit?

Përgjigje: - Kur nisa shërbimin me të, më mësoi një rregull praktik e të urtë sjelljeje. Më tha: “Unë do të bisedoj me ty lirisht, do të të tregoj edhe vendimet, që kam në mend të marr. Nëse je i kënaqur nga lajmi, mund të ma thuash. Nëse ke ndonjë vërejtje a nuk je fare entuziast, s’është nevoja të ma thuash: të pyes unë vetë”. Nuk vonoi, e më pyeti për Koncilin: kur më foli herën e parë, heshta. As herën e dytë nuk e hapa gojën. Herën e tretë më tha: “Si kështu? Të fola për këtë ngjarje, që ma dikton Shpirti Shenjt, e ti hesht? E di se jam në moshë, se kam para një plan vigan, që nuk do të mund ta realizoj. Pse arsyeton si të ishe komendator, që ka mbi tryezë një plan, rreth të cilit duhet të diskutojë!”. Ia ktheva: “Shenjtëri, ajo që keni vendosur, është bërë shumë mirë e do t’i shërbejë mbarë njerëzimit”. E ai: “Nuk më intereson të zbatoj, por të bëj! Të pranoj frymëzimin, të jem në qendër të vëmendjes së Zotit, që më thërret të bashkëpunoj me Të. E kjo është një barrë tejet e rëndë. Edhe sikur të mundem vetëm ta kumtoj, do të ishte eveniment i jashtëzakonshëm”.
Ky është mësimi i parë i madh, që më dha. E i dyti: “Mos harro! Unë jam ipeshkëv. Duhet të vdes si ipeshkëv. Kur shikon ndonjë gjë të rëndë, duhet të ma thuash qartë”. E ishte biseda e fundme, e vërtetë, e madhe me të, kur i thashë: “Atë i Shenjtë. Erdhi ora!”. E ai: “Një minutë, duhen pyetur mjekët!”. “I pyetëm, Shenjtëri!”, ia ktheva. Më shikoi drejt në sy: “Ashtu?”. “Po Shenjtëri!”. “Atëherë, është ora e lamtumirës. Duhet të ma sillni Sakramentin e Eukaristisë solemnisht, në praninë e bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë. Duhet t’i flas secilit fjalën e fundit, e të bëjmë kushtin, që Koncili II i Vatikanit të vijojë e të kurorëzohet, me bekimin e Zotit. Sa për pasardhësin, Zoti tashmë e ka zgjedhur. Nëse pas meje do të bëjë ndryshe, ani! Ne shkojmë deri në një farë pike. Është Zoti ai, që i vijon punët, duke kërkuar shërbimin e njerëzve të vegjël, për të bërë punë të mëdha a të vogla, nën shenjën e shëlbimit të mbarë njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.