2013-06-02 13:50:54

Me sytë e ngulur te Krishti!


E Enjtja e Madhe për Kishën mbetet një ditë, tek e cila duhet të kthehemi vazhdimisht, për të kuptuar misionin, që na besoi Jezusi. Në atë Çenakull përmblidhet i tërë kuptimi i krishterimit. Përmblidhet jeta e Krishtit dhe e Kishës së Tij. Fatet e tyre shkrihen aq, sa të shndërrohen në një fat të vetëm e kështu të mos mund të bëjnë asgjë Njëri pa Tjetrën.
Misteri i vdekjes dhe i ngjalljes, ashtu si misioni i Kishës, përshpejtohen e kodifikohen në themelimin e Eukaristisë. Eukaristia vijon të mbetet shenjë e përhershme, që s’ka të perënduar, e pranisë së vetë Krishtit ndërmjet dishepujve, deri në ditën e kthimit të Tij. Prandaj kremtimi eukaristik me gjithçka përmban, nga themelimi i meshtarisë, tek detyra e bashkësisë së krishterë për t’i shërbyer botës, duke kumtuar qiell të ri e tokë të re, për Kishën ka qenë e mbetet qendra e kulmi i jetës. E pamundur të përjashtohet nga misteri eukaristik. E po aq e pamundur edhe të mos e vihet në qender të fesë. Në Kishë gjithçka niset e kthehet tek Eukaristia. Këtu kundrimi i misterit bëhet burim i kthesës në jetën personale e shoqërore, ndërsa fiton vlerë veprimtaria e ungjillëzimit. Shëlbimi, që kumton Kisha, përshpejtohet e bëhet i dukshëm pikërisht në misterin, që kremton.
Themelimi i festës së Corpus Domini, Korpit e Gjakut të Krishtit, në vitin 1246, shënoi një etapë të rëndësishme në udhën e përshkuar nga Kisha në shekujt e mëparshëm, lidhur me kultin eukaristik. Eukaristia, e ruajtur në zanafillë vetëm si shujtë për shtegtimin e mbramë, fitonte gjithnjë më shumë vlerë për adhurimin nga ana e besimtarëve. Krishti i gjallë, me të vërtet i pranishëm në mes të të vetëve, bëhej shok udhe për bashkësinë e krishterë, duke e ndihmuar t’i mbartë me durim shqetësimet në jetën e përditshme. E duke e mbushur me shpresa të reja. Sa më e madhe të jetë forca tërheqëse e Eukaristisë, aq më i madh është edhe impenjimi i besimtarit për ta dëshmuar në mënyrë gjithnjë më bindëse fenë, në të cilën beson. Prandaj, në organizimin e Vitit të Fesë, u shpreh dëshira për realizimin e një shenje që, për herë të parë në historinë tonë, e bën edhe të dukshëm unitetin e Kishës në një çast të vetëm kohor, rreth Eukaristisë.
Sonte, nga ora 17.00 deri në orën 18.00 me orën e Romës, në katedralet e botës e në mijëra e mijëra kisha, përhapur deri në skajet më të largëta e më të harruara të Planetit, miliona sy do të përqendrohen njëkohësisht mbi Misterin e Krishtit të pranishëm në Eukaristi. Për një orë të tërë, mbarë Kisha në botë do të ndalet. Të gjitha veprimtaritë e saj të panumërta, do të pushojnë për një çast, si të mos ishin. Mendimet e veprat e Kishës, lutjet, këngët, ndjetet, ndjenjat, do të jenë vetëm për Zotin Jezus. Do të jetë një ndalesë e shkurtër, për të marrë frymë, e për ta vijuar, pastaj, ecjen e mundimshme në udhët e historisë, si Elia profet në shtegtim drejt Horebit.

Në një kohë trishtimi e kapitjeje, në një çast kur fjala shpresë është pak e pranishme, ora e adhurimit të Eukaristisë do të jetë përsëri burim force e ndihme. Kundrimi i misterit nuk e largon njeriun nga impenjimi konkret, i përditshëm, për t’ia kthyer shpresat botës, përkundrazi. Në kundrim njeriu gjen forcë për të ecur pa u lëkundur, si dishepujt e Krishtit. Asgjë nuk është pasive, në këtë orë. Gjithçka shndërrohet në jetë që pulson e përtërin. Veprat e fesë rifitojnë gjithë vlerën, e edhe gjithë kuptimin, që i vë në lëvizje të krishterët, për t’i dhënë jetës së fituar këtu, domethënien e saj të plotë.
Në këtë orë adhurimi Kisha do t’ia ngulë sytë themelores. Për një orë nuk do të mundë e as nuk do të dëshirojë të shikojë gjetiu, duke e ditur mirëfilli se në Krishtin përmblidhet gjithçka. Fjalët e lashta të Pange lingua do të tingëllojnë tejet aktuale! Për t’i dhënë siguri zemrës së sinqertë mjafton feja; të ulemi, prandaj, në gjunjë për një orë e ta adhurojnë një mister kaq të madh. Forca e fesë e mbarë Kishës, edhe një herë, i vjen në ndihmë ligështisë sonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.