2013-06-01 19:02:55

Meditimi i Papës Françesku në përfundim të Rruzares, në mbyllje të muajit marian


Në përfundim të muajit marian të majit, kardinali Anxhelo Komastri, Vikar i Përgjithshëm i Atit të Shenjtë për Shtetin e Vatikanit dhe Kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit kryesoi, në orën 20, lutjen e Rruzares në sheshin para Bazilikës. Gjatë kremtimit, shtatorja e Zojës u mbart në procesion. Rreth orës 20.30, Papa Françesku mbërriti në tremen e Bazilikës Vatikanase e, para se t’u jepte besimtarëve Bekimin Apostolik, mbajti meditimin e mëposhtëm:
“Të dashur vëllezër e motra,
sonte u lutëm me Rruzaren Shenjte; përshkuam disa ngjarje të udhës së Jezusit, të shëlbimit tonë dhe e bëmë bashkë me Atë, që është Nëna jonë, Maria, Ajo që me dorë të sigurtë na udhëheq drejt Birit të saj Jezus.
Sot, kremtojmë festën e Pasisë së Virgjërës Mari tek kushërira, Elizabeta. Dua të meditoj me ju mbi këtë mister, që tregon si e përballon Maria udhën e jetës së saj, me realizëm, humanizëm e konkretisht.
Tri fjalë përmbledhin sjelljen e Marisë: dëgjim, vendim, veprim; fjalë që na e tregojnë udhën edhe neve para gjithçkaje na kërkon Zoti në jetë.
1. Dëgjim. Nga lind gjesti i Marisë për të shkuar tek e kushërira, Elizabeta? Nga një fjalë e Engjëllit të Zotit: “Elizabeta, kushërira jote, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali…”(Lk 1,36). Maria di ta dëgjojë Hyjin. Kujdes: nuk është një “dëgjim” i thjeshtë, sipërfaqësor, por është “dëgjim” plot vëmendje, pranim, gatishmëri para Zotit. Nuk është mënyra e shkujdesur me të cilën rrimë nganjëherë para Zotit e të tjerëve: i dëgjojmë fjalët, por nuk e kemi mendjen aty. Maria është e vëmendshme para Zotit, e dëgjon Hyjin.
Por, Maria dëgjon edhe faktet, pra, i interpreton ngjarjet e jetës së vet, është e vëmendshme ndaj realitetit konkret e nuk ndalet në sipërfaqe, por shkon deri në thellësi, për t’i kuptuar. Kushërira, Elizabeta, tashmë e moshuar, pret një djalë: ky është fakti. E Maria është e vëmendshme edhe ndaj kuptimit, di ta kapë: “S’ka gjë të pamundshme për Hyjin” (Lk 1,37).
Kjo vlen edhe për jetën tonë: dëgjimi i Zotit, që na flet, e interpretimi i realitetit të përditshëm, kujdesi për njerëzit, për faktet, sepse Zoti është në portën e jetës sonë e troket në shumë mënyra, vendos shenja në udhën tonë; ne na takon t’i shohim. Maria është nëna e dëgjesës, e dëgjimit të kujdesshëm të Zotit dhe të ngjarjeve të jetës.
2. Vendim. Maria nuk jeton “me ngut”, pa frymë, por, siç nënvizon shën Luka ungjilltar, “i shoshiste këto ngjarje në zemrën e vet” (Lk 2,19.51). Edhe në çastin vendimtar të Lajmërimit të Engjëllit, Ajo pyet: “Si mund të ngjajë kjo?” (Lk 1,34). Por nuk ndalet as në çastin e reflektimit; bën një hap përpara: vendos. Nuk jeton me ngut, por vetëm kur duhet “shkon me ngut”. Maria nuk e lë veten të zvarritet nga ngjarjet, nuk e shmang vështirësinë e marrjes së vendimit. E kjo ndodh si në vendimin themelor, që do t’i ndryshojë jetën: “Unë jam shërbëtorja e Zotit…”(Lk 1,38), ashtu edhe në vendimet e përditshme, të pasura me kuptim. Më vjen ndërmend episodi i dasmës së Kanës (Gjn 2,1-11): edhe këtu shihet realizmi, humanizmi, fryma konkrete e Marisë, e cila është e vëmendshme ndaj fakteve e problemeve; sheh e kupton vështirësinë e atyre dy të rinjve, që po martoheshin, të cilëve u mbaron vera e festës, reflekton dhe e di se Jezusi mund të bëjë diçka, e kështu, vendos t’i flasë të Birit, që të ndërhyjë: “Nuk kanë më verë” (shih v.3).
Në jetë është e vështirë të marrësh vendime, shpesh priremi t’i shtyjmë për më vonë, i lemë të tjerët të vendosin për ne, shpesh preferojmë të tërhiqemi zvarrë nga ngjarjet, të ndjekim modën e çastit; nganjëherë, e dimë ç’duhet të bëjmë, por nuk kemi guxim, ose na duket shumë e vështirë, sepse do të thotë të shkojmë kundër rrymës. Maria në Lajmërim, në Pasi, në dasmën e Kanës shkon kundër rrymës; ia vë veshin Zotit, reflekton e përpiqet të kuptojë realitetin e, vendos t’ia besojë plotësisht vetveten Hyjit. Megjithëse shtatzënë, vendos të shkojë për vizitë tek kushërira e moshuar, vendos t’i besojë me forcë të Birit për të shpëtuar gëzimin e dasmës.
3.Veprim. Maria vihet për udhë e “u nis me nxitim…”(Lk 1,39). Të dielën e kaluar e nënvizova këtë mënyrë veprimi të Marisë: pavarësisht nga vështirësitë, nga kritikat që do të ketë marrë pas vendimit të saj për t’u nisur, nuk ndalet para asgjëje. E kësaj here, niset “me nxitim”. Në lutje, para Zotit që flet, gjatë reflektimit e meditimit të fakteve të jetës së saj, Maria nuk ka ngut, nuk e lë veten në dorën e çastit, nuk lejon të zvarritet nga ngjarjet. Por kur e ka të qartë se ç’i kërkon Zoti, se ç’duhet bërë, nuk ngurron, nuk vonon, por shkon “me nxitim”. Shën Ambrozi komenton: “hiri i Shpirtit Shenjt nuk lejon ngadalësi” (Expos. Evang. sec. Lucam, II, 19: PL 15,1560). Veprimi i Marisë është rrjedhojë e bindjes së saj ndaj fjalëve të Engjëllit, por edhe e dashurisë: shkon te Elizabeta për ta ndihmuar; e me daljen e saj nga shtëpia, nga vetvetja, për hir të dashurisë, merr me vete ç’ka më të çmuar: Jezusin; merr Birin e saj.
Nganjëherë, edhe ne ndalemi për të dëgjuar, për të reflektuar mbi ç’duhet të bëjmë e, ndoshta, e kemi të qartë vendimin që duhet marrë, por nuk kalojmë në veprim. E sidomos, nuk e rrezikojmë vetveten, duke ecur “me nxitim” drejt të tjerëve për t’u çuar ndihmë, mirëkuptim, bamirësi e dashuri; për të çuar edhe ne, si Maria, gjënë më të çmuar që kemi marrë, Jezusin dhe Ungjillin e Tij, me fjalë, por sidomos me dëshminë konkrete të veprimeve tona.
Dëgjim, vendim, veprim.
Shën Mari, o grua e dëgjimit, na i hap veshët; që të dimë si ta dëgjojmë Fjalën e Birit tënd Jezus, ndër mijëra fjalët e kësaj bote; të dimë si ta dëgjojmë realitetin ku jetojmë, çdo njeri që takojmë, sidomos të varfërin e nevojtarin në vështirësi.
Shën Mari, o grua e vendimit, na e shndrit mendjen e zemrën, që të dimë t’i bindemi Fjalës së Birit tënd Jezus, pa mëdyshje; na e jep guximin për të marrë vendime, për të mos e lënë veten të zvarritemi që të tjerët të na e orientojnë jetën.
Shën Mari, o grua e veprimit, bëj që duart e këmbët tona të lëvizin “me nxitim” drejt të tjerëve, për t’u sjellë bamirësinë e dashurinë e Birit tënd Jezus, për të përhapur, ashtu si ti, në botë, dritën e Ungjillit. Amen.








All the contents on this site are copyrighted ©.