2013-06-01 19:01:55

Mbarë bota, në adhurim!


Nesër, 2 qershor, nga ora 17.00 deri në orën 18.00, Bazilika e Shën Pjetrit do të lidhet njëherësh me të gjithë botën, për adhurimin eukaristik. Është njëri nga kremtimet më emocionuese në kalendarin e Vitit të Fesë, që do të pasohet nga takimi kushtuar Evangelium vitae, më 15 e 16 qershorin e ardhshëm.
“Një Zot i vetëm, një fe e vetme” është tema e zgjedhur për adhurimin eukaristik të njëkohshëm, në të gjitha konferencat ipeshkvnore, në të gjitha katedralet, në të gjitha manastiret, në ato të klauzurës, sidomos, në të gjitha kishat e kapelat: mbi elterin simbolik të Planetit, katedralja më e madhe, ku rri Zoti i gjallë. Vështirë të flasësh me gjuhën e numrave, sepse pa dyshim do të jenë qindra mijëra vetë të gjunjëzuar para të Shenjtnueshmit Sakrament, ekspozuar për zemrën e gjithë botës. Me këtë nismë u bashkuan edhe Kishat, që nuk janë në kushte të përshtatshme, disa për arsye të fatkeqësive të natyrës, të tjera, viktima të fatkeqësive shkaktuar nga dora e njeriut. Duke kapërcyer vështirësitë e kremtimit natën, pa dritë elektrike, në një klimë, që nuk premton asgjë të mirë e shumë vështirësi të tjera, edhe këto Kisha do të jenë njëherësh me gjithë botën, në adhurim para Krishtit Eukaristi.
I ka mirë parasysh, Papa Françesku, këto kushte. Prandaj deshi që, ndërmjet ndjeteve të lutjes, të përfshihen edhe dy lutje të posaçme për Kishat në vështirësi. E para është për Kishën e përhapur në mbarë Planetin e nesër, në shenjë uniteti, gjunjëzuar në adhurim para të Shenjtnueshmit Sakrament. "Zoti e bëftë përherë më të bindur ndaj Fjalës së tij, për t’u paraqitur para botës gjithnjë më e bukur, pa njolla e rrudha, shenjte, e papërlyer (Ef. 5,28). Përmes kumtimit të saj besnik, Fjala, që shëlbon, jehoftë përsëri plot mëshirë, duke ngjallur frymën e impenjimit të ri të dashurisë, për t’i dhënë kuptim të plotë dhimbjes e vuajtjes e për të rikthyer gëzimin e paqen”.
Lutja e dytë është për të gjithë ata që, në të katër anët e botës, vuajnë nën zgjedhën e skllavërive të reja, të luftërave, të tregtisë së njerëzve, të drogës, të punës prej robi; për fëmijët e gratë, viktima të dhunës, në të gjitha format e saj. "Britma e tyre për ndihmë rëntë në veshin e Kishës që, me sytë e ngulur tek Krishti i kryqëzuar, të mos i harrojë kurrë vëllezërit e motrat e shumta, të cilat pësojnë nën thundrën e përdhunës. E edhe të gjithë ata, që kalojnë çaste të vështira ekonomike, posaçërisht të papunët, pleqtë, të burgosurit, viktima të padrejtësisë nëpër udhët e botës. I ngushëlloftë lutja e Kishës dhe veprimtaria e saj për t’u dhënë ndihmë e për t’u ngjallur shpresë, forcë e guxim për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut".
Kremtimi i dytë do të jetë ai i 15 e 16 qershorit, me temë “Duke besuar, të kenë jetë”. U quajt “Takimi i Evangelium vitae”, për të dëshmuar impenjimin e madh të Kishës në mbrojtje të dinjitetit e të jetës së njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.