2013-05-31 13:56:02

Si lindi devocioni i muajit të Zojës së Bekuar?!


Kisha katolike përfundon muajin maj kushtuar nderimit të Zojës së Bekuar. Për këtë rast organizohen kremtime Eukaristike, lutje e procesione tradicionale që u mundësojnë besimtarëve të përshpirtshëm një pjesëmarrje të veçantë shpirtërore. Në përfundim të kremtimeve fetare meshtarët u drejtojnë fjalën besimtarëve dhe mbyllin me bekimin Hyjnor. Por, si lindi devocioni i muajit të Zojës? Përgjigjen na e jep rregulltari monfortan, Atë Stefano Fiores:

Përgjigje: - Devocioni i muajit të Zojës, muajit të majit, filloi në vitet 1700, përmes veprimtarisë së tre jezuitëve, që kryenin misionin e tyre në veri, në qendër e në jug të Italisë. Më i njohuri është atë Alfons Muxareli. Etërit jezuitë zgjodhën pikërisht muajin më të bukur të vitit, kur natyra është në kulmin e lulëzimit, që t’i ftonin të gjithë besimtarët për ta nderuar Nënën e Zotit, lulen më të bukur të njerëzimit.

Pyetje: - Çka përfaqëson Maria për gratë e kohëve tona?

Përgjigje: - Gruaja e ditëve tona frymëzohet nga Maria, por sipas figurës biblike, e jo sipas disa klisheve tradicionale, që e paraqesin si grua pasive, që pëson pa bëzajtë. Pali VI në ‘Marialis Cultus”, e kundërshton këtë mënyrë paraqitjeje, duke i ftuar besimtarët të shfletojnë Ungjillin për ta njohur Marinë, grua aktive, që e kupton mirëfilli përgjegjësinë e vet, që merr vendime e ‘Madhëron Zotin’, sipas kritereve të dijes hyjnore e jo të dijes njerëzore.

Pyetje: - Rruzarja Shenjte nuk është praktikë që i përket së kaluarës, e aq më pak lutje mekanike – na kujton shpesh Papa; ç’vlerë ka sot kjo lutje mariane?

Përgjigje: - Rruzarja duhet konsideruar si mënyrë për të vënë në jetë atë që kremtojmë në liturgji e që e shpallim në Shkrimin Shenjt.
Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës.
Megjithatë Rruzarja lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt – Bibla e zhvillohet rreth misterit të Krishtit.
Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik.
Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishtlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.
Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq.
Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën.
Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit.
Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë.

Kujtojmë se dita e fundit e muajit të Zojës kremtohet në qindra Kisha e kapela, kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës, e po kështu edhe në Shqipëri, në Kosovë e në vise tjera shqiptare, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, në shenjtëroren e mirënjohur të Zojës në Letnicë të Vitisë, në Zymë të Prizrenit e vende tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.