2013-05-31 11:22:30

Rubrika “Te gurra e besimit”: Etja për të vërtetën (Emisioni VIII)


Në qendër të emisionit VIII të rubrikës “Te gurra e besimit”, etja për të vërtetën. Edhe sot, na kujton Benedikti XVI, nuk mjafton të jesh si gjithë të tjerët e të mendosh si gjithë bota. Projekti i jetës sonë shkon shumë më përtej. Ne kemi nevojë për Zotin, për atë Zot, që na e tregoi fytyrën e na e hapi zemrën: për Jezu Krishtin. Shën Gjoni, vijon të na mësojë Papa, me të drejtë pohon se Ai është i Parëlinduri i Hyjit e në gji të Atit (cfr Gjn 1,18). Kështu vetëm Ai, përmes lidhjes së ngushtë me Atin, mund të na e dëftojë Hyjin edhe ne, e të na dëftojë edhe kush jemi, nga vimë e ku shkojmë. Natyrisht shumë personalitete, me emër të madh në histori, por edhe, e sidomos, njerëz të zakonshëm, me emër të vogël, e kanë provuar mrekullinë e takimit me Hyjin. Në përpjekjen e vazhdueshme për të hyrë në misteret e Tij. Vetëm Krishti është Hyj, e vetëm Ai është ura, që e lidh Hyjin Atë me njeriun. Në se ne, të krishterët, e quajmë Ndërmjetësuesi i vetëm i shëlbimit, me vlerë për të gjithë, që u intereson të gjithëve e për të cilin, në fund të fundit, kanë nevojë të gjithë, kjo nuk do të thotë aspak përbuzje për fetë e tjera, e as absolutizim mburracak i mendimit tonë. Duam vetëm një gjë, kujton Papa, t’u tregojmë të gjithëve se ai na i fitoi zemrat, na preku shpirtin e na mbushi me dhurata, që edhe ne të kemi, pastaj, ç’t’u dhurojmë të tjerëve. Feja jonë i kundërvihet vendosmërisht nënshtrimit përballë fatit, mendimit se njeriu është i paaftë për të gjetur të vërtetën, sikur kjo të ishte tepër e madhe për mendjen e zemrën e tij të vogël. Pikërisht ky nënshtrim, që të shtyn të mendosh se je i paaftë për ta kërkuar e për ta gjetur të vërtetën, sipas Papës, është bërthama e krizës, që ka pushtuar Perëndimin e, posaçërisht, Evropën. Në se njeriu nuk është në gjendje ta gjejë të vërtetën, nuk do të jetë në gjendje as ta dallojë të mirën nga e keqja. E atëherë njohuritë e mëdha e të mrekullueshme të shkencës bëhen të dyshimta; mund të hapin perspektiva të rëndësishme për të mirën, për shpëtimin e njeriut, por, e këtë e shikojmë ditë për ditë, mund të bëhen edhe kërcënim i tmerrshëm, mund ta shkatërrojnë njeriun e botën. Ne kemi nevojë për të vërtetën. E atë e gjejmë pikërisht te gurra e besimit!







All the contents on this site are copyrighted ©.